“Duam kryetar të komanduar…”, socialistët shkodranë kërkesë- peticion Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Kryesisë…

Socialistët shkodranë duket se kanë humbur durimin. Të mbetur pa kryetar edhe pas fushatës së zgjedhjeve brenda strukturave, ata nuk duan të qëndrojnë më në këtë gjendje. “Kemi marrë një sërë kandidaturash, shumë reputative dhe intelektuale që të përfaqësojnë popullun e Shkodrës. Jemi duke diskutuar, shumë shpejt do kemi një drejtues të PS që të përmbushë pritshmëritë e strukturës.”, u shpreh para rreth një jave për këtë temë Taulant Balla, numri 2 i PSSH- së.


“Shumë shpejt”, duket se nuk ka kënaqur një pjesë të socialistëve të Shkodrës, të cilët në krye të javës nga deklarata e Ballës, kanë kaluar tek veprimet konkrete. Ata kanë hartuar një si tip peticioni, ku kërkohet të caktohet një kryetar deri sa të bëhen zgjedhjet. Emri që kërkohet është ai i Luan Harushës, i cili aktualisht është deputet dhe më parë ka qenë edhe kryetar i Komunës Rrethina të Shkodrës para se të bashkohej me Bashkinë e Shkodrës.

Shkresa, e cila mund të lexohet më poshtë, është firmosur nga 27 antarë të Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe nga rreth 120 antarë të PS-së. Letra i është dërguar Edi Ramës si Kryetar i PSSH-së, Taulant Ballës si sekretar i përgjithshëm dhe Kryesisë së PSSH-së.

“Në respekt të pikës ë të Nenit 30 të Statutit të Partisë Socialiste , në emër të përfaqësimit tonë brënda Asamblesë së Zgjeruar Socialiste të Bashkisë Shkodër, propozojmë: Caktimin e deputetit Luan Harusha, si Kryetar të Partisë në Bashki deri në përfundimin e zgjedhjeve të ardhshme elektorale”, është kërkesa konkrete për drejtuesit më të lartë të PS-së. Ajo që nuk kuptohet qartë është: Caktimin si kryetar “deri në përfundimin e zgjedhjeve të ardhshme elektorale” brenda Partisë Socialiste Shkodër apo caktimin si kryetar “deri në përfundimin e zgjedhjeve të ardhshme elektorale” në kuptimin e zgjedhjeve lokale apo kombëtare, të zakonshme apo të parakohëshme…

Në fakt, me komandimet apo emërimet (caktimet pa votim të antarëve), të paktën në Shkodër, PS ka një eksperiencë aspak të mirë, ku të emëruarit nga Rama nuk e kanë patur jetën e gjatë në drejtim, duke u larguar nga drejtimi i degës lokale ose duke iu imponuar dorëheqja. Sipas gjasave, edhe kjo lëvizje e fundit brenda PS-së Shkodër, duket se është e sponsorizuar nga brenda familjes rozë. Ditmir Bushati nuk është më i preferuar, Paulin Sterkaj ka domein Malësinë e Madhe, Senida Mesi duket nuk e ka këtë ambicje kështu që “përzgjedhja” e mundshme mbetet vetëm tek Luan Harusha. /ShkodraWeb Media/