“Dua titullin kampion me Vllazninë”, Liridon Latifi flet pas barazimit në Korçë: Akoma nuk jam në 100% tim

Liridon Latifi u rikthye sot në Korçë, aty ku për dy vite e gjysmë fitoi gjithçka me Skënderbeun, pikërisht nga janari i 2015-ës deri në maj të 2017-ës.

Transferimi i Latifit nga Skënderbeu te hungarezët e Pushkashit në verën e vitit 2017 prodhoi 900 mijë euro të ardhura për klubin korçar. 27-vjeçari nga Prishtina u bë idhull për tifozët. Në prononcimin pas sfidës, Skënderbeu-Vllaznia që u mbyll në barazim 0-0, Latifi u shpreh:


“Ndjenjë e mirë të kthehesh sërish në Korçë. Kam kaluar vite shumë të mira këtu, kemi bërë gjithë Shqipërinë krenare. Dashuria për Korçën është gjithmonë . Ishte ndjenjë e mirë, dua ti falënderoj tifozët për duartrokitjet, kam kaluar kohë të mirë. Ndeshja ishte e vështirë për ne, fusha ishte shumë e rënduar.

Pjesën e dytë kisha më shumë hapësira, se ata filluan të dilnin pak më shumë, pjesën e parë ishin ekip difensiv, dhe ishte e vështirë t’i depërtoje. Na penalizoi kartoni i kuq, por duhet të vazhdojmë përpara. Kam filluar të ambientohem shumë mirë, me ndihmën e të gjithëve. Kam filluar ta marr veten shumë mirë. Shpresoj që të ecim ashtu siç i kemi planet tona.

Akoma nuk jam në 100% tim, më mungon forca shtytëse, që kam armën më të fortë, po punojmë në këtë drejt. Shpresoj që shumë shpejt të arrij formën maksimale. Jam i bindur që do të arrij formën dhe të ndihmoj të ekipin në realizimin e objektivit që është titulli kampion”, u shpreh Liridon Latifi për “Gol pas Goli”.