Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano mohon dorëheqjen por përflitet emri i zëvendësuesit të tij

Vetëm pak muaj pas emërimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shkon drejt zëvendësimit.Burime jo zyrtare informojnë se brenda javësh, qeveria mund të emërojë drejtorin e ri, teksa ende nuk janë të njohura arsyet e zëvendësimit.

Që prej mëngjesit të sotëm, disa media kanë informuar për dorëheqjen e kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, por lajmi mbetet ende një mister dhe pa asnjë konfirmim.


I kontaktuar nga mediat disa herë, Gledis Nano ka mohuar që të ketë dhënë dorëheqjen dhe ka thënë se s’ka asnjë vendim të tij për t’u larguar nga posti më i lartë që mbaj që prej 10 muajsh, nga tetori 2021.

Mësohet se për rreth 90 minuta në zyrën e ministrit të brendshëm Bledi Çuçi ka qenë kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP, ish-SHÇBA) Muhamet Rrumbullaku i cili disa herë është përfolur si personi qe do emërohet në krye të Policisë së Shtetit.

Mirëpo në një komunikim për mediat, ai e ka mohuar që do marrë drejtimin e Policisë së Shtetit, në vend të Nanos, duke thënë se nuk është pjesë e Organizatës së Policisë së Shtetit.