Drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Bennett do të bëjë një turne në pesë vende të Ballkanit, ku do të flasë mbi rolin e Zërit të Amerikës dhe ndikimit dhe efektivitetit të programeve të tij për rajonin.
Drejtoresha Bennet do të takohet me përfaqësues të mediave partnere të Zërit të Amerikës, gazetarë vendas dhe zyrtarë qeveritarë në Serbi (18-19 shtator), Bosnje Hercegovinë (20-23 shtator), Mal të Zi (24-26 shtator), Shqipëri (26-28 shtator) dhe Kosovë (28-30 shtator). Drejtoresha Bennett shoqërohet në këtë turne nga Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euroazisë, Alen Mlatisuma, Redaktor Përgjegjës për Internetin në Divizionin e Euroazisë, Dzeilana Pecanin, Shefe e Shërbimit Boshnjak të Zërit të Amerikës dhe Arben Xhixho, Shef i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës.
Dr. Biberaj tha se vizita e drejtores Bennett është e para në Ballkan e një drejtori të Zërit të Amerikës. Gjatë vizitës në pesë vende të Ballkanit, drejtoresha Bennett do të shpjegojë se si po i përgjigjet Zëri i Amerikës sfidave të sotme me të cilat ndeshet media, si dhe ndryshimit të panoramës mediatike. Sipas Dr. Biberaj, drejtoresha Bennett do të theksojë se misioni i Zërit të Amerikës nuk ka ndryshuar që nga dita e transmetimit të pare, para 75 vjetësh – të tregojë të vërtetën, të jetë i saktë dhe i balancuar dhe të njohë audiencat me Amerikën.
Dr. Biberaj thotë se “në një botë ku besimi tek media po bie, Zëri i Amerikës vazhdon të luajë një rol jetik, si një prej burimeve më të besuara të lajmeve. Zëri i Amerikës ofron alternativën e njoftimit të bazuar në fakte, përballë propogandës, shërben si një mjet ku mund të gjesh alternativat që ofron opozita, si dhe debatin publik, duke nxitur zhvillimin e shoqërive të lira e të drejta.”
Shërbimet e Ballkanit të Zërit të Amerikës ofrojnë programe cilësore, në platforma të ndryshme, dhe kanë një ndikim dhe ndjekje të lartë në rajon, duke ofuar lajme dhe informacion të paanshëm dhe të besueshëm, që shtypi i politizuar vendas nuk është gjithmonë në gjendje ta japë.
Zëri i Amerikës ndiqet nga 12% në Serbi, 13.4% në Bosnje Hercegovinë, 26.5% në Mal të Zi, 60.5% në Shqipëri dhe 64% në Kosovë.