Drejton Policinë e Shtetit nga dita e djeshme, si e paditi në gjykatë këtë institucion 5 vite më parë Gledis Nano, i akuzuar edhe si “islamofob”

Gledis Nano, drejtori i ri i Policisë së Shtetit, në vend të të shkarkuarit Ardi Veliu, do të drejtojë institucionin të cilin e paditi në gjykatë 5 vite më parë. Në vitin 2016, Gjykata Administrative e Apelit do të shqyrtonte padinën e shtetasit Gledis Nano, ku palë e paditur ishte Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Padia e kishte zanafillën te një vendim i vitit 2011, kur drejtor i Policisë së Shtetit ishte Hysni Burgaj dhe kryeministër ishte Sali Berisha dhe Nano kërkonte rimarrjen e gradës “Komisar”, njohjen e kohës së lirimit nga detyra si vjetërsi shërbimi, dëmshpërblimin për mosridhënien e gradës si dhe detyrimin e të paditur për ta futur në testimin për gradën “Kryekomisar”.


“Objekti: Detyrimin e palës së paditur për t’i ridhënë paditësit gradën “Komisar”, Detyrimin e palës së paditur për t’i njohur paditësit si vjetërsi shërbimi edhe kohën e Lirimit nga detyra. Detyrimin e palës së paditur t’i paguajë paditësit diferencat e papaguara si rezultat i mosridhënies së gradës Detyrimin e palës së paditur për të marrë paditësin në testimin për gradën “Kryekomisar” Anullim i Urdhërit Nr. 1874 Dt 12.10.2011, Pika 2, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”-thuhet në ekstraktin e seancës gjyqësore të 15 shtatorit 2016.

Pas ndryshimit të qeverisë, Gledis Nano u rikthye në Policinë e Shtetit. Një vit më parë ai kaloi Vettingun në Komisionin e Jashtëm të Kualifikimit në polici, që i hapi dritën jeshile për të vijuar detyrën si drejtor në Drejtorinë e Antiterrorit, në Policinë e Shtetit, post që drejtonte prej 17 shkurtit 2016 pas një pune të gjatë dhe eksperience 17-vjeçare si pjesë e Policisë së Shtetit.

Radikalët muslimanë e kanë akuzuar si “islamofob”, sepse në vitin 2013 drejtoi hetimet e dosjes së “Imamëve” të arrestuar për terrorizëm dhe drejtoi operacionin sekret të dëbimit të diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Më pas u angazhua personalisht në nxjerrjen nga Kampi Al Hol në Siri të Alvin Berishës dhe më vonë edhe të grave dhe të fëmijëve. /Shekulli/