Dy trena po ecin në të njëjtën shinë. Por nuk po ecin në të njëtjtin drejtim. Me 30 qershor 2019, duke nisur nga ora 07.00 ata pritet…të përplasen. Njëri nga trenat, ai që është nisur nga e majta, drejtohet nga Edi Rama. Tjetri, nga drejtimi i kundërt, përballë të parit, udhëhiqet nga Lulzim Basha. Në “vagonët” e këtyre trenave, pasagjerë janë…shqiptarët.
Kështu, nëse e sheh nga jashtë atë që po shpërfaqet sidomos orët e fundit në pjesën e dukshme të politikës shqiptare. Lulzim Basha është i vendosur dhe paralajmëron se me 30 qershor 2019, nuk do të ketë zgjedhje. Në fakt, deri tani, akoma nuk ka një “skenar” të qartë se si mund ti pamundësojë zgjedhjet, aq më tepër kur nuk është pjesë e sistemit. Mesnata e 13 majit është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve për 30 qershorin. Deri tani, Basha nuk ka regjistruar dhe nuk ka ndërmend të regjistrojë me firmën e tij dhe vulën e PD-së asnjë kandidat për kryebashkiak. Ndërkohë, edhe nga administrimi i procesit, të drejtë që ia jep Kodi Zgjedhor, ai nuk e ushtron tani për tani, por në një moment kur ta gjykojë të arsyeshme ai mund të dergojë në KQZ komisionerët, duke detyruar largimin e atyre të regjistruar si të tillë “kryesisht”.
Vendosmëria e Lulzim Bashës për të mos patur zgjedhje, verbalisht, pra me fjalë, përplaset me atë të Edi Ramës për të patur zgjedhje me 30 qershor 2019. Kryeministri, që nga dita kur u dekretua kjo datë, është investuar në zhvillimin e tyre. Madje, disa deputetë kanë lënë dhe do të lënë mandatet për të hyrë në garën e zgjedhjeve vendore. Po ashtu, Rama ka thënë se të shtunën, do të njihen edhe emrat zyrtarë të PS-së për kryebashkiakë.
Deklaratat e mësipërme, nëse do të konvertohen në veprime, po e çojnë vendosin drejt një përplasje civile, fatale dhe me pasoja për sot por edhe për nesër. Natyrisht, vështirë të shohim më skena të ngjashme me ato të 1997-ës, por konfrontime fizike do të ketë. E kjo, në emër të kauzave historike të shqiptarëve që lidhen me përzgjedhjen e pushtetit.
Nëse dy “trenat” vazhdojnë në binarët aktualë, situata nuk paraqitet aspak optimiste. Por nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që njëra nga palët të ketë një “as” nën mëngë apo edhe “të devijojë” në momentin e fundit për të shmangur përplasjen. Eksperienca ka treguar se as edhe një marrëveshje e sekondave të fundit, nuk është e paimagjinueshme në Shqipëri. Por natyrisht, në këto skenarët e fundit, ka kosto, sidomos politike kolektive dhe individuale. Dikush duhet ta marrë “riskun” përsipër duke i hapur krahun rivalit. /Shënim i ShodraWeb/