
Procesi i votimit të kryetarit të PD- së Shkodër, po shkon drejt fundit. Edhe pse akoma nuk ka një shkresë zyrtare nga selia blu në Tiranë, përballë në garën për kreun e ri të degës demokrate shkodrane do të jenë Ardit Çylybyli dhe Gentjan Ibro.
Janë dy emra të njohur brenda radhëve të demokratëve shkodranë, por sigurisht më shumë Ardit Çylybyli, jo vetëm për shkak të angazhimeve politike por edhe pozicionit të zëvendëskryetarit të Bashkisë Shkodër nga viti 2020 deri në 2023, ndërsa edhe Gentjan Ibro ka qenë pjesë e administratës bashkiake të drejtuar nga PD, në postin e kryeinspektorit të IMT- së.
Dy kandidatët, akoma të pashpallur zyrtarisht, vijojnë takimet me bazën demokrate të Shkodrës, ndërsa pritet edhe zyrtarizimi i votimit, i cili do të bëhet me parimin “një anëtar, një votë”. Me shumë mundësi, data e votimit nuk do jetë përtej 15 mars 2026, gjithmonë në varësi edhe të zhvillimeve politike në vend, të cilat ndikuan edhe në respektimin e afateve për zgjedhjet e kryetarit të PD- së, që ishte 31 janar 2026.
Pak ditë më parë, kryetarja e komanduar e PD Shkodër, Eliona Shkreli, dha dorëheqjen nga gara, edhe pse emri i saj ishte tashmë në selinë blu në Tiranë si një nga kandidaturat.




