Në muajin maj 1947, organet e Sigurimit të Shtetit kryen arrestime masive në Tiranë në goditje të organizatës imagjinare “tekniko- intelektuale”. Këto arrestime që kaluan shifrën 100 u shkallëzuan: në dy prej tyre ishin disa ish- deputetë, ndërsa proceset e tjera vijuan pa bujë si rasti i parë.
Urdhërdhënëse ishte Byroja Politike e Partisë Komuniste. U përdorën torturat nga më çnjerëzore dhe në përfundim u arrit të manipulohen edhe dosjet hetimore-gjyqësore. Në ka dosje që kërkojnë prova të tjera dhe duhen marrë me shumë rezerva, janë pikërisht dosjet hetimore-gjyqësore të këtyre “grupeve”. Ndarja e grupeve është bërë në mënyrë rastësore dhe pa lidhje.
Regjimi reklamoi më shumë procesin e parë, i cili u fotografua dhe botua edhe në gazetën “Bashkimi”. Pas një hetuesie të egër, procesi gjyqësor u zhvillua në kinema “17 nëntori” në Tiranë më 4-27 shtator 1947. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga major Niko Ceta, kapiten II Nexhat Hysenit, kapiten II Mustafa Iljazi, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit të përgjithshëm Josif Pashko, në bazë të neneve 2, 3 (2, 7, 8, 9, 10, 12, 13), 4, 14 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kundra popullit dhe shtetit”, i deklaroi fajtorë dhe dënoi me vdekje:
Me vdekje, me varje në litar:
1-Shefqet Beja, ish-deputet
2-Riza Alizoti (në Kuçovë)
3-Sulo Klosi (në Rubik)
Me vdekje, me pushkatim:
4-Selaudin Toto, ish- deputet
5-Sheh Ibrahim Karbunara, ish-deputet
6-Irfan Majuni, ish- deputet
7-Enver Sazani, ish- deputet
8-Paolo Saggioti
9-Agathokli Xhitoni
10-Mehmet Prishtina
11-Abdul Kokoshi
12-Beqir Çela
13-Salim Kokalari
14-Tefik Deliallisi
15-Pertef Karagjozi
16-Hysen Shehu
Tetë të tjerë u dënuan me burgime të ndryshme. Pas vitit 1991, kjo çështje u rishikua nga plenumi i Gjykatës së Lartë dhe të dënuarit u deklaruan të pafajshëm. /Nga Kastriot DERVISHI, publikuar në Facebook/