
Si merreshin urdhrat për ruajtjen e kufirit shtetëror nga “armiqtë e socializmit”. Pse kufomat e të vrarëve tërhiqeshin zvarrë në mënyrë publike
Kanë kaluar 35 vite që nga ajo ditë e nxehtë e 16 qershorit 1990, kur disa qindra të rinj shkodranë sfiduan hapur diktaturën komuniste, e cila, megjithëse në ditët e fundit të jetës, ishte akoma e egër dhe e pamëshirshme. Një i ri shkodran, i panjohur deri atëherë, me emrin Pëllumb Pëllumbi, ishte masakruar barbarisht në Hot të Malësisë së Madhe në tentativë për të kaluar kufirin dhe funerali i tij u transformua në një sfidë, që të rinjtë e këtij qyteti i bënë shtetit të atehershëm. Jehona e kësaj proteste i kaloi kufijtë e kryeqendrës së Veriut duke u kthyer në një thirrje për gjithë rininë shqiptare, e cila vetëm dy javë më pas vërshoi në oborret e ambasadave të huaja në Tiranë. Miti kishte rënë.
Për kujtesë
Në një intervistë të vitit 2004 për gazetarin Taulant Kopliku, Nikollë Pëllumbi, tashmë në moshën 65-vjeçare, babai i Pëllumbit të vrarë në kufi, do të rrëfente për gazetën “DITA” të gjithë kronologjinë e ngjarjeve nga data 13 qershor 1990, kur i biri 17- vjeçar u përshëndet me të duke e gënjyer se po shkonte në kishën e Laçit e deri pasditen e 16 qershorit, kur u zhvillua ceremonia e varrimit të djaloshit të vrarë në kufi, ceremoni që u kthye në një protestë të rinisë shkodrane.
Përqafimi i fundit
“Ishte paradite e datës 13 qershor 1990, – nis të tregojë Nikolla. Po riparoja një traktor në SMT-në e Bushatit, ku punoja prej vitesh, kur shoh nga larg tim bir, Pëllumbin së bashku me shokun e tij, Marjan Zefin. Më kërkoi t’i jepja lejë për të shkuar në kishën e Laçit dhe iu përgjigja pozitivisht. I pyeta në kishin nevojë për të holla, por më thanë se u mjaftonin ato që kishin. Pëllumbi më perqafoi fort dhe duhet të ketë qenë ora 10.00-10.30, kur dy të rinjtë u nisën për rrugë. As që e imagjinoja se kjo ishte e fundit herë që e shihja tim bir. Atë ditë dhe të nesermen nuk kisha ndonjë merak, por mëngjesin e datës 15 nisa të merakosem paksa, pasi po bëheshin dy ditë dhe djali nuk ishte larguar asnjeherë kaq gjate nga shtëpia. Shqetësimin ma shtoi edhe më shumë një shok i punës, kur më lajmëroi se më kërkonte vajza në telefon. Fare shkurt ajo më tha të shkoja urgjentisht në shtëpi. Nuk pata kohë as per ta pyetur, pasi telefoni ishte mbyllur. Pas një ore isha tek porta e shtëpise. Rrinim në një rrugicë pas teatrit “Migjeni” dhe, kur po i afrohesha banesës sonë, e cila është e tepërt të quhej shtëpi banimi, pashë një grumbull të madh njerëzish. Më dolën përpara tre-katër shokë të Pëllumbit dhe më thanë, – “Bëhu burrë, Nikollë, se djalin ta vranë në kufi”. Mbeta i shtangur dhe, siç mund ta imagjinoni, vrapova të shoh djalin tim të dashur, të cilin e kisha rritur me aq halle e sakrifica, por që ma sollën të vdekur në shtëpi. Në dhomën ku ishte kufoma, kishte një numër të madh grash, të cilat më bënë vend. Djali kishte marrë një plumb në lule të ballit dhe të dukej sikur e kishin qëlluar duke ia mbështetur armën në kokë. Pranë trupit të pajetë qëndronin gruaja dhe dy vajzat, Lula 19 vjeçe dhe Ana 6 vjeçe. Nuk arrija ta merrja veten dhe vetëm besimi tek zoti më mbante në këmbë”, – tregon 65- vjeçari, Nikollë Pëllumbi.
Kufoma që u zvarrit barbarisht
“Si të mos mjaftonte vrasja makabre që kishin kryer forcat e kufirit, – vijon Pëllumbi, – trupi i masakruar i djalit është marrë zvarrë nëper Hot e Bajzë, i lidhur pas një kamioni për t’u bëre shembull për ata që do të merrnin rrugën e arratisjes nga Shqipëria. Këtë ma tregoi disa ditë më vonë një mik, i cili e kishte parë skenën e Ilahtarshme. Megjithëse vetëm pak kohë më parë ish-Presidenti Ramiz Alia kishte hequr nenin famëkeq 25 të tradhtisë së lartë ndaj atdheut duke e zëvendësuar me Ligjin 7380, “Kalim i paligjshëm i kufirit”, kjo mbeti vetëm në letër dhe në telat me gjemba të klonit që rrethonte Shqipërinë mbetën të vrarë vetëm në vitin 1990 rreth 400 të rinj, të cilët u gënjyen nga ndryshimi vetëm në letër i këtij neni. Por e keqja nuk kishte mbaruar këtu, -vijon ai, – trupi i Pëllumbit ishte dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës dhe, pasi të bëheshin ekzaminimet e nevojshme, do të varrosej nën kujdesin e policisë në një varr pa emër. Siç e mësova më pas, në spital kishin shkuar disa shokë të djalit me në krye Gjovalin Barin, i cili fatkeqësisht nuk rron më dhe Bep Kolombin. Ata kanë kërkuar ta tërheqin trupin duke hasur në rezistencën e dy policëve, të cilët e ruanin atë. Insistimi i tyre dhe një urdhër i dhënë me radio, kanë bërë që trupi i pajetë i Pëllumb Pëllumbit të dërgohet në shtëpi mëngjesin e 15 qershorit”.
Mllefi i protestës në ceremoninë mortore
“Të nesërmen, më 16 qershor, në orën 16.00 do të zhvillohej ceremonia e varrimit, – kujton Nikolla, – Rreth mesditës, ndërsa prisja e përcillja njerëzit, më morën mënjanë Gjovalini dhe Bepi, të cilët i përmenda edhe më lart. Duam ta organizojmë ceremoninë ashtu siç i ka hije Pëllumbit, -më thanë, – për këtë janë përgatitur shumë të rinj nga e gjithë Shkodra. Duke i kuptuar qëllimet e tyre, pranova menjëherë, sepse në fund të fundit nuk kishin çfarë të më bënin më. E gjithë jeta ime dhe e familjes kishte kaluar burgjeve dhe internimeve, prandaj nuk mora parasysh asnjë pasojë. U lashë vetëm një porosi djemve: makina e funeralit të qëndronte sa më pranë turmës, që në rast konfrontimi me policinë, trupi të largohej menjëherë. U nisëm nga shtëpia në orën e caktuar, ndërkohë që vura re një numër shumë të madh të rinjsh dhe kjo më preku tej mase. Është e kuptueshme që shumica as që e kishin njohur djalin, por ata kishin ardhur për të nxjerrë mllefin e mbledhur prej vitesh.
Shpërthimi
Nga shtëpia deri në Sheshin e “5 Heronjve të Vigut” asgjë nuk pipëtinte, saqë mendova se kjo heshtje totale do ta shoqëronte gjithë ceremoninë. Befas përpara turizmit nisën thirrjet e para që u shoqëruan në kor: “Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë Nexhmija”, “Poshtë Partia”, “Rroftë Xhorxh Bush”. Kur ktheva kokën nga Turizmi, pashë dy autobusë me turistë, të cilët kishin ardhur nga viset shqiptare të Malit të Zi dhe aty e kuptova që djemtë kishin ditur ku t’i nisnin thirrjet, pasi turistët ishin thuajse të gjithë me aparate fotografikë dhe ndonjëri edhe me telekamera. Para tyre të rinjtë ulën arkivolin, duke mos i ndërprerë thirrjet, ndërkohë që vizitorët nisën të fotografonin dhe të filmonin. Kjo zgjati rreth dhjetë minuta e më pas vijuam rrugën sërish më këmbë. Në Sheshin e Piacës, ku ndahen rrugët për tek varrezat dhe tek ish- Dega e Brendshme, dikush kërkoi të devijonim, por shumica nuk e panë të arsyeshme, pasi donin t’i bënin respekt kufomës dhe ne. Gjatë gjithë rrugës nuk pushonin thirrjet kundër diktaturës dhe, mbaj mend, se dritaret dhe ballkonet ishin mbushur plot me qytetarë. Madje disa prej tyre, që siç duket ishin përgatitur, hodhën lule nga lart. Te Divizioni, në dalje të qytetit, procesioni ndaloi dhe të pranishmit e shfrynë dufin tek ushtarët, që bënin shërbim tek porta, duke iu drejtuar: “Shikoni çfarë i keni bërë bashkëmoshatarit tuaj. Turp!”. Vetëm kur arritëm tek varrezat ra heshtja dhe të rinjtë grupe-grupe hodhën nga një grusht dhe mbi arkivolin e tim biri”, – kujton me dhimbje 65-vjeçari, Nikollë Pëllumbi.
Sqarimet në hetuesi
“Pas varrimit dhe ngushëllimeve të rastit, u kthyem në shtëpi, – vijon ai. Prisja nga çasti në çast se dikush do të vinte të më arrestonte, por çuditërisht kjo nuk ndodhi. Mesa duket zinxhirët ishin liruar pak. Tri ditë më vonë më thirrën në hetuesinë e rrethit dhe, ndërsa prisja të më kërkonin sqarime për protestën e zhvilluar gjatë varrimit, më kërkuan llogari se pse kishte dashur të arratisej Pëllumbi. U ndjeva pak i lehtësuar, por njëkohësisht u revoltova se si mund të ma drejtonin mua këte pyetje. Në përgjigjen time dhashë një sërë arsyesh se përse im bir ka kërkuar të lërë atdheun. Që nga persekutimi i gjithë familjes, tek përjashtimi i tij nga shkolla dhe nga sporti e deri tek ndryshimi i ligjit per kalimin e kufirit, i cili u shkel me dy këmbë. Hetuesi po më dëgjonte pa bërë zë dhe kjo ma shtoi më shumë guximin. Në pak çaste iu përvesha duke i kërkuar llogari për dhunimin e kufomës. Pse e keni shëtitur të lidhur me tela nëpër Bajzë duke thirrur: “Kush do të blejë mish”, u shpreha, ndërsa ai vetëm dëgjonte. “Nuk është e pranueshme që një 17-vjeçar të trajtohej si kriminel, vijova, nëse keni vetë fëmijë, ma kuptoni hallin”. Me kaq gjithçka përfundoi dhe unë u largova. Askush nuk më thirri më në ato zyra. Në vitin 1994 kemi zhvarrosur eshtrat për t’i dërguar në varrezat katolike, shton ai, dhe të tmerruar pamë se kafka kishte qenë e ndarë mespërmes”.
Rihapja e procesit
“Në vitin 1995, pas këmbënguljes tonë të vazhdueshme, u hap procesi në Gjykatën Ushtarake të rrethit Shkodër për vrasjen e Pëllumbit,” kujton Nikolla. Në këte gjyq u mor si i pandehur vetëm ushtari nga Berati, Shkëlqim Abaz Çuka, i cili deklaroi se kishte patur urdhër për të qëlluar. Pas një gjyqi me procedurë të përshpejtuar, ai u dënua me katër vjet burg vetëm për faktin se nuk kishte thënë “NDAL”, para se të qëllonte. Me të dëgjuar këtë farsë reagova para gjykatësit, i cili dha këtë vendim, por më kot. Në këtë gjyq nuk u diskutua fare termi “krime kundër njerëzimit”, ndërkohë që dy protagonistët kryesorë, komandanti dhe komisari i Postës së Kufirit nuk u përmendën fare, megjithëse ishin ata që urdhëruan dhunimin e kufomës. Edhe pas këtij procesi, kërkova të vihej në vend drejtësia, por kudo m’i mbyllën dyert.
Bindja e babait
“Tani pas kaq vitesh e theksoj dhe jam i bindur se pushteti i atëhershëm i Sali Berishës nuk u interesua aspak për problemin e vrasjeve të vitit ’90-të në kufi. Qenia për disa kohë në krah të tij, si shoqërues e ish- komandantit të Postës së Kufirit në Hot, të cilin unë e akuzoj si shkaktar direkt të vrasjes së djalit, e shton më tepër bindjen time se PD i afroi vet këto figura të përlyera, që shpresoj se një ditë do të përballen me drejtësinë”. Nuk bëhet fjalë vetëm për Pëllumbin tim, por për disa qindra të tjerë nga i gjithë vendi, të cilët, pasi i vranë, i lidhën me tela me gjemba, i vendosën në spondet e makinave dhe i shëtitën nëpër fshatra të shoqëruar me oficerë të sigurimit. Ka pasur edhe vajza të reja, të cilat i kanë përdhunuar e më pas i kanë vrarë me një plumb kokës. Një apo dy vite më vonë, kur janë zhvarrosur, këto bija shqiptarësh, janë gjetur në gropa të cekëta e pa asnjë rrobë në trup. Të gjitha këto i deklaroj me kompetencë të plotë dhe i kam të dokumentuara, pasi kryesoj Shoqatën e Familjareve të të Vrarëve në Kufi. Është e çuditshme se si shteti ynë kërkon që të dënohet ushtari grek, që ka kryer një vrasje në kufi dhe nuk dënon shqiptarët, që kanë vrarë shqiptarët në kufi. Kjo është e tmerrshme”, – shprehet 65-vjeçari.
Raporti i plotë për ngjarjen
Nr.1351 prot.
Informacion: Ministrit të Punëve të Brendshme, shokut Simon Stefani
Më datën 14.6.1990, shtetasi Pëllumb Nikollë Pëllumbi, vjeç 17, me banim në Lagjen “Naim Gjylbegu” të qytetit të Shkodrës dhe Marian Zef Ndoja, vjeç 17, me banim në Lagjen “Skënderbeg”, po të këtij qyteti, tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme në sektorin e Postës Kufitare Hot. Nga masat që u morën nga forcat e kufirit, Marian Ndoja u kap, ndërsa Pëllumb Pëllumbi u vra. U konstatua se me vete kishin edhe një bombë luftarake. Hetuesia, pasi kreu veprimet hetimore, kufomën ia dha familjes së tij per varrim. Të dy këta persona ishin vagabondë, hajdutë, pa punë, kontigjente të ndjekjes së krimeve.
Më datën 16.6.1990, nga ora 16.00 deri në orën 18.00 u bë varrimi i kufomës. Arkivoli i tij i hapur u mbajt në duar nga shtëpia deri në varreza, i shoqëruar nga rreth 70 veta, duke pasur me vete edhe 6 kurora. Kortezhi ka përshkuar itinerarin nga Lagja “Naim Gjylbegu” tek “5 Heronjtë”, përpara Turizmit në qendër të qytetit të Shkodrës, Rrugën “Enver Hoxha”, tek spitali, Parku i Mallrave e deri në varreza. Personat që e shoqëronin kufomën ishin kryesisht të rinj të moshës rreth 17 deri 26 vjeç. Duke e çuar kufomën nga shtëpia për në varreza, në vende të ndryshme persona të veçantë pjesëmarrës në kortezh kanë hedhur parrulla të ndryshme dhe rreth 10-15 të tjerë i kanë shoqeruar në formë kori duke bërtitur. Konkretisht, kur kortezhi ka kaluar para Muzeut të Luftes NacionaIçlirimtare të rrethit, dikush ka thirrur “Poshtë Komunizmi”, “Poshtë socializmi”.
Në rrugën përpara spitalit dikush nga kortezhi thirri “Poshtë Nexhmije Hoxha”, “Poshtë Partia”, “Poshtë Ramiz Alia”, “Kjo parti ështe gjakpirëse”, ndërsa në momentin që është bërë varrimi, një i ri është shprehur: “Shokë, të forcojmë unitetin në mes radhëve tona, se shikoni se çfarë po bën Ramiz Alia, duke vrarë njerëz përditë. Poshtë Partia, poshtë Ramiz Alia”. Nga ana jonë u morën këto masa: u organizua puna për filmimin sekret të këtyre personave, per verifikimin dhe saktësimin e personave organizatorë të ketyre thirrjeve, u morën masa përforcuese për sigurimin e objekteve kryesore në qytet si: Komiteti i Partisë, Komiteti Ekzekutiv i rrethit, qendra e qytetit, ku është edhe busti i Stalinit, Radio Shkodra e Dega e Punëve të Brendshme.
U informua menjëherë sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit dhe Ministria. Nga verifikimet e bëra deri tani rezulton se nxitës kryesor në këte veprimtari është Gjovalin Ndoc Bari, vjeç 25, lindur e banues në qytetin e Shkodrës, pa punë, i denuar një herë me tre muaj heqje lirie për goditje të policit për shkak të detyrës. Gjovalini në afërsi të Turizmit u ka bërë thirrje të pranishmëve për të bërtitur. Fillimisht nuk e ka shoqeruar njeri. Më pas ai ka kërcënuar e sharë të tjeret duke u thene u q… nënen e motrën atyre që nuk bërtasin… Flisni more, dhe në vazhdim të thirrjeve tij janë përgjigjur me zë edhe 10-15 veta, deri në mbarim të ceremonisë së varrimit. Gjatë rrugës në dy raste, një pensionist dhe një person tjetër tek varrezat kanë mbajtur qëndrim ndaj thirrjeve të tilla, por nga elementë negativ janë kërcënuar e tallur dhe nuk i ka mbështetur njeri.
Kryetari Degës së Punëve të Brendshme,
Çapajev Taçi