
Gjergj Jozef Kola: Përshëndetje i dashtun Bixh. Ka kalue nji çerek shekulli tashma e të falënderoj për dëshirën me iu kthy edhe nji herë asaj kohe aq të jashtëzakonshme, siç ishte ardhja e demokracisë dhe hapja e institucioneve fetare, kishave mijëvjeçare.
Luigj (Bixh) Thika: Të falënderoj unë që më kujton e mjafton me e mendue atë kohë dhe më mbushen sytë me lotë. Ajo ishte nji kohë aq e shtrejtë dhe e paharrueshme për mu, koha e hapjes së kishave katolike të Shkodrës, mbas diktaturës ateiste që i kishte mbyllë.
Gjergj Jozef Kola: E vërteta na ban të lirë, thotë edhe Shkrimi i shenjtë e sot dëshmi të tilla si kjo e jotja i shërbejnë edhe të vërtetës. Porse përpara se me dalë te qëllimi i kësaj interviste, që asht edhe HAPJA E KISHËS SË ZOJËS, kisha dashtë me dijtë diçka mbi raportin tand me besimin e krishtenë?
Luigj Thika: Unë kam qenë xhakon i nji prej Ipeshkëve ma të jashtëzakonshëm që ka pasë kjo tokë shqiptare e ndoshta në mbarë botën, siç ka qenë Mons. Ernesto Çoba. Megjithëse nuk asht Monsinjori e koha jeme si xhakon, tema e kësaj interviste, kisha shumë dëshirë me kallxue diçka për të.
Gjergj Jozef Kola: Padyshim se për Monsinjorin martir shqiptar ka gjithmonë vend në çdo histori që lidhet me Kishën Katolike Shqiptare, si Ipeshkvi i fundit që vdiq në torturat e diktaturës komuniste.
Luigj Thika: Megjithatë unë po përpiqem me ndejë në temë dhe po i lidh kujtimet e mia me Monsinjor Erneston me Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, Zojës së Kalasë. Kur vinte festa e Zojës më 26 prill, nisëshim të gjithë me klerin, xhakojtë, besimtarët shkodranë dhe Ipeshkvin në krye e me dom Mark Hasin si bashkëcelebrues, në kambë, deri te Kisha e Zojës. Atje celebrohej mesha madhështore e gjithë shpati i malit mbi kishë mbushej plot. Në fund shtrohej nji drekë nga Sakristiani që jetonte aty përballë, Luigj Nikaj, vëllai i shkrimtarit të njohun Ndoc Nikaj. Në atë kohë Kisha Katolike Shqiptare ishte jashtëzakonisht e varfën. Ndihma nga shteti ateist nuk kishte, ndihma nga bota nuk lejoheshin, populli ishte jo vetëm i varfën porse shihej me sy të keq kush ndihmonte…
Gjergj Jozef Kola: Kjo ka qenë edhe koha ma devotshme e Kishës Katolike Shqiptare, koha e meshtarëve që jetojshin me bukën që populli ndante me to, koha e nji krishtenimi apostolik, gjenuin.
Luigj Thika: Padyshim, më lejo të kujtoj vetëm nji ndodhi që mora vesh kur Monsinjori u burgos. Komunistat e pashpirtë e futën në nji thes kur ishte në hetuesi dhe me duarlidhë e nisën me ba nji radiografi, sepse ishte ftofë e mezi merrte frymë në qelinë e lagësht. Kur e çojnë atje, radiografist ishte Fatmiri, nji djalë shkodran e nuk pranon me ia ba, u thotë: Ky asht njeri, nuk asht kafshë pse e keni sjellë kështu të lidhun. Atëherë u detyruen me u kthye në hetuesi, me e veshë si njeri e me ardhë e me ba radiografinë…
Gjergj Jozef Kola: Shembuj zotnishe ka pasë edhe në kohën e diktaturës e kjo asht ajo që ka përcaktu edhe karakterin e njerëzve, anipse sot shumë pak kush i përmendë, këto njerëzit e heroizmave të panjoftuna.
Luigj Thika: Po padyshim e më kujtohet se edhe ma vonë kur Kisha e Zojës u shemb nga diktatura, menjëherë mbas mbylljes së kishave me ligj në vitin 1967, vijshin prap shkodranë aty e sidomos gratë zadrimore e mbi të tana gratë berdiciane që ishin edhe aty afër e mbushnin vendin. Ishte nji kohë kur çdo praktikë fetare ishte ndalu me ligj e prapëseprapë njerëzit nuk ndaleshin, nuk mund të jetojshin pa Zot…
Tash më fal pak të lutem…
Ndërhyn Teuta Thika: Gjergj të lutem prit pak se i janë mbushë sytë me lotë dhe ka nevojë me u qetësu se mosha ban të veten.
Gjergj Jozef Kola: Padyshim e u jam shumë mirënjohës të dyve që nga bregdeti i Tirrenit po më jepni këtë intervistë.
Ndërhyn Teuta Thika: Nuk kam ndeshë njeri ma të përkushtuem për Kishën dhe besimin se sa bashkëshorti im. Gjithçka e ka ba me zemër e pa asnji shpërblim.
Luigj Thika: Tash po të kallxoj edhe mbi hapjen e Kishës së Zojës, arsyen e kësaj interviste. Mbas hapjes së Kishës në Rrmaj me dom Simon Jubanin në Nandor 1990 na ishim nji grup shkodranësh të mbledhun rreth tij me Zef Gjonin, vllaznit Bardeli e disa të tjerë e të më falin se nuk po mundem me i kujtu të gjithë, e kërkuem me marrë edhe kishat e tjera e me i vu në shërbim të meshtarëve. Kishën e Arrës së madhe e hapëm menjëherë se kishte qenë magazinë dhe nuk patëm vështirësi. Porse nuk kishim meshtar dhe unë shkova te dom Ndoc Noga dhe e ftova me marrë në dorëzim këtë kishë dhe ai pranoi menjëherë. Prej aty shkuem te Kardinal Mikel Koliqi dhe dom Ndoci mori edhe bekimin e tij për këtë punë. Unë si xhakon i dikurshëm e ndjeshe si detyrë shpirtërore nji përkushtim të tillë.
Gjergj Jozef Kola: Po zotni Bixh edhe unë të mbaj mend ne ato kohe, se si ishe gjithandej i pranishëm e i përkushtuem me atë energjinë tande si ish futbollist e si nji besimtar i përkushtuem…
Luigj Thika: Ishte fillim Prilli i vitit 1991 e po afronte 26 prilli i festës së Zojës, festë që unë e kisha në zemër sepse ruejshe si xhakon kujtimet ma të bukura të fëminisë. Hapja e Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, Zojës së Kalasë nuk ishte aq e thjeshtë, sepse aty kishte nji përkujtimore të formimit të nji brigade mbas ikjes së gjermanëve e së dyti makinat e zeza të policisë e sigurimit të shtetit ishin të pranishme gjithandej nëpër qytet…
Gjergj Jozef Kola: Çdo moment historik kërkon edhe guxim e urtësi historike.
Luigj Thika: Mendoj se më ka ndihmue vetë Zoja, sepse po atë ditë shkova në Komitet te kryetarja Terezina Marubi. Polici nuk më la me hy mbrenda se nuk kisha takim e për fat, – kur do me tu hapë rruga të hapet – takova nji kushri, nji ish basketbollist të Vllaznisë Vitor Kçirën e sapo ia thashë dëshirën më mori me vedi e më çoi te kryetarja. U ula aty dhe i thashë: Na shkodranët dona me hapë Kishën e Zojës së Shkodrës te Kalaja e na duhet leje. Ajo më shikjoi thellë në sy mandej u çu, mendoi pak dhe u ul e shkroi LEJEN, vendosi firmën e vulën e që nga ai çast Kisha na kaloi neve, i kaloi Arqipeshkvisë së Shkodrës. Dola jashtë shumë mirënjohës se tashma askush nuk mund të më ndalonte. Po fluturojshe prej gëzimit.

Gjergj Jozef Kola: I lumtë Terezinës Marubi se paska kapërcy mbi hijen e saj…
Luigj Thika: Jo vetëm kaq porse javën që erdhi më çoi prap fjalë me Vitor Kçirën e më tha me ardhë me marrë harmonikën që kishte ruejtë tezja e saj që kishte qenë murgeshë e kjo më gëzoi dy herë. Shkova te dom Ndoci e i kallxova se e kena nxjerrë lejen dhe më përqafoi e i shkuen lotë për faqe.
(Intervista ndërpritet prap prej gjendjes së ngarkueme emocionale të zotni Bixhit…)
Gjergj Jozef Kola: Zotni Bixh kush ishin protagonistët e hapjes së Kishës së Zojës?
Luigj Thika: Së pari të më falin ata që nuk më kujtohen, se kanë kalue kaq shumë vjet, porse unë kujtoj mirë: Marjan Leka, Tonin Temali, Nard Kepi, Bik Ganjolla… Të gjithë së bashku u nisëm te Kisha e Zojës. Atje ndodhej nji lapidar, në vendin ku kishte qenë kisha e nga shkronjat nuk lexohej mirë se cila brigadë ishte formu mbas ikjes së gjermanëve ngaqë nuk ishte mirëmbajtë. Porse ishte hekur-beton e na e pamë se pa ndërhymje profesionale nuk mund ta rrëxojshim…
Gjergj Jozef Kola: Prap nji provë tjetër e vështirë…
Luigj Thika: Kur do me tu hapë qielli të hapet e unë shkova menjëherë te gurorja që ndodhet në anën tjetër të Bunës. Atje takova nji shok Kujtimin, mysliman shkodran e sapo e mori vesh se për çka kisha ardhë më tha: të ndihmoj unë. Më dha nji specialist të shpërthimit me dinamit e unë isha gati me ia shpërbly punën e tij, porse asnjeni nuk pranoi: “E bajmë për nijet të mirë.”, më thanë. Prej aty ndaluem qarkullimin për rreth nji orë prej urës së Bacallekut deri te ura e Bunës dhe për 15 minuta nga lapidari i brigadës nuk mbeti ma asgja. Toka iu kthye Kishës si e kishte pasë tash njimijë vjet.
Gjergj Jozef Kola: Si vazhduen përgatitjet për festën e Zojës së Shkodrës më 26 Prill?
Luigj Thika: Përgatitjet vazhduen me intensitet. Unë e kam pasë shumë mik dom Simon Jubanin…
Gjergj Jozef Kola: Sepse keni qenë të dy futbollista të talentuem e besimtarë të devotshëm…
Luigj Thika: Ndoshta, porse mbi të gjitha ishim angazhu për hapjen e kishave të mbylluna. Bashkë me dom Simonin ishte i gatshëm si gjithnji edhe dom Ndoc Noga e bashkë me to u bashkue edhe dom Zef Simoni – Hardhija. Ai 26 prill ishte i paharrueshëm. Mbarë fusha përballë kishës si dhe shpati i malit ishte i mbushun me besimtarë. Meshën e celebruen këta tre meshtarët që përmenda ndërsa predikimin e mbajti dom Zef Simoni, që ma vonë u ba edhe Ipeshkëv, anipse na mbarë rinia e Shkodrës e mbarë vendi kishte dashtë që dom Simon Jubani të ishte Ipeshkvi i parë. Ai kishte vuejtë 28 vjet burg të randë politik nën tortura e presione të përditshme e kishte dalë me hapë Kishën e parë nën kërcënimin e jetës…
Gjergj Jozef Kola: Dom Simon Jubani asht legjendë tashma e simbas historisë së botës, legjendat jetojnë ma shumë se shumë tituj fetarë apo shtetnorë e nderohen ndër shekuj.
Luigj Thika: Nji legjendë e tillë asht edhe Monsinjor Ernesto Çoba, Ipeshkvi i fundit e i papërsëritshëm i Shkodrës e më asht duke sikur atë ditë prilli te Kisha e Zojës e kam pasë para syve, siç e kisha kur isha fëmijë, xhakon dhe shkojshim nga Katedralja e deri te Kisha e Zojës me sy të gëzuem e pa u lodhë asnjiherë.
Gjergj Jozef Kola: Zotni Bixh të falënderoj shumë ty dhe Zojën Teuta që më falët këtë intervistë kaq të jashtëzakonshme me plot kujtime të nji kohe të paharrueshme.
Luigj Thika: Të falënderojmë na ty për intervistën e që më dha mundësinë me shprehë të gjitha ato që kisha në zemër, se u ba kaq shumë kohë që jam larg Shkodrës. /Nga Gjergj Jozef Kola, intervistë me protagonistin e hapjes së kishës së Zojës në Shkodër, Zoja e Këshillit të Mirë, prill 1991/
Vjenë, Itali, gusht 2025.




