DOSSIER – Përurimi i aeroportit të Shkodrës me 21 nëntor 1996, çfarë ndodhi ditën e ceremonisë…

Kishte kohë që mundësia e hapjes së aeroportit të Shkodrës për fluturime civile duke u parë në disa plane po shqyrtohej hollësisht. Vënia në eficencë e aeroportit, i shërben infrastrukturës së rrënuar, e cila ka nevojë më shumë se kurrë në këtë kohë, kur biznesmenët mund të lëvizin për një kohë të shkurtër në të gjitha qytetet e ndryshme të Shqipërisë, por edhe në vendet fqinje.


Kjo ishtë ideja e miqve amerikanë të cilët kishin ardhur në Bashkinë e Shkodrës që në vitin 1993.

Pavarësisht nga këto dhe nga përpjekjet e Kryetarit të Bashkisë z. Filip Guraziu unë në korrikun e vitit 1996 kisha dëgjuar me veshët e mijë në Universitetin e Nebraskës nga profesor Shnajder, që tha: “Shqipëria ka nevojë të vërë në efiçencë nëntë aerodromet e saj, për të ndihmuar infrastrukturën e shkatërruar, mbasi sot ajo po përballet me një rritje të fluksit të trafikut rrugor, që është me i madhi deri sot.

Iniciator për këtë u be H.Nichols, i cili projektoi me ndihmën e një aviatori amerikan cilësitë e aerodromit të Shtojit dhe mundësinë e uljes të avionëve të vegjël (charter).

“Fusha e Shtojit” ishte përdorur gjatë kohës të Mbretit Zog për aviacion civil ndërqytetës sikurse edhe nga 9 fushat e tjera. Më saktë në të gjitha qytetet, që kishte aeroporte bëhej lëvizja me avionë dhe pilote italianë.

Mbështet ShkodraWeb Media

Në kohën e diktaturës komuniste, këta avionë ishin vetëm ushtarakë dhe përdoreshin për spërkatje nga ajri dhe sipas nëvojës për lëvizjen e personaliteteve të larta të partisë/shtet.

Aerodromi i Shtojit të Shkodrës atëherë ruhej nga ushtria.

Gjatë tranzicionit ky aerodrom degradoi thellë. U hapën kanale. Piramidat prej betoni u shpëndanë andej e këndej në fushë duke u bënë pika referimi për kursantet e autoshkollave ku bënin“ teta”. Kishte raste që piramidat e betonit përfunduan në rrugë ose në shtepitë e fshatarëve.

Në vitin 1996 një sponsor F, mori përsipër të bënte disa riparime të vogla që të sillte fushën në gjendje për fluturim të avionëve të vegjël. U bënë mbushje prej dheu dhe sheshime. U vendosën përsëri piramidat prej betoni në vendin e caktuar dhe u përgatit fusha e gjatë 800 m për uljen e avionëve Çarter dhjetë vende.

Me fillimin e punës sponsori kishte patur disa pengesa nga shtabi i Korpusit të Ushtrisë. Si rregull pavarësisht se fusha duhej të ruhej dhe administrohej nga ushtria, aty kishin hapur brazda sipas qejfit fshatarët, duke pretenduar se kishin pronesi mbi tokën, diku mbi piramida ishte shënimi “Xan”. Fusha kishte pronësi shtetrore dhe vetëm shtetërore, por në këtë rast puna ndryshonte. Drejtuesit e korpusit u zgjuan nga gjumi.

U desh një leje e Kryetarit të Bashkisë Shkodër Filip Guraziu, që sponsori të vazhdonte punimet për përgatitjen e aerodromit civil për uljen e aeroplanëve të vegjël në raste emergjencash dhe në të ardhmen për të ndihmuar tregtarët e biznesin, që ata të qarkullonin më shpejt në të gjithë Shqipërinë, ku kishte aerodrome.

Data e inagurimit afroi. Para se të inagurohej aerodromi kishte shumë kundërshtime nga pushteti qendror, nga korpusi i veriut i instaluar në Shkodrër, bile edhe nga Këshilli i Rrethit, i cili kishte një përfaqësues të mbrojtjes në organikën e tij. Megjithëse në parim të gjithë ishin dakort, e keqja ishte tek mungesa e iniciativës. Si duket kjo vinte nga remenishencat e të kaluarës diktatoriale, sidomos kur çeshtja kishte të bënte me amerikanët.

Kjo që po tregojmë ndodhi tamam ditën e inagurimit dhe në një moment jo fort të favorshëm për Bashkinë e Shkodrës.

Pikërisht në fazën përfundimtare të punimeve në aeroportin e Shtojit si rezultat i zgjedhjeve do ndërroheshin kryetarët e Bashkive dhe të komunave  të Shqipërisë. Në qytetin e Shkodres kishte fituar e djathta.

Amerikanët (USAID), kishin njoftuar z. Boriçi, kryetarin e ri, që me datën 21 nëntor do të inagurohej fusha e aviacionit e rindërtuar. Për ta bërë efiçente atë. Këtë e dinte tanimë z. Boriçi, megjithëse akoma ai nuk ishte ulur mirë në karriken e kryetarit.

Dy ditë më parë sektori i kulturës dhe sporteve në Bashkinë e Shkodrës,  përgatiti një tribune të vogel prej derrasë, në formë podiumi ku do të vendosej shiriti. Inagurimin do e bënte Kryetari i Bashkisë. Për këtë pritej momenti i caktuar që pjesëmarrësit t’i gëzonte ky eveniment i rëndësishëm. Kur avioni do të vinte nga Tirana do niste ceremonia e caktuar në orën 11.30 min.

E dini çfarë ndodhi, pikërisht në orën 10 të kësaj date?

U thirr në një mbledhje urgjente në sallën e madhe të prefekturës Kryetari i Bashkisë dhe sekretari i Këshillit. Unë shkova me vonesë  dhe e gjeta vetëm Artanin karshi të gjithë nëpunësve te rrethit. Arturi, Shyqi si dhe Hilmia, i cili mbulonte çeshtjet ushtarake zëvendësonin aty Kryetarin e Rrethit. Së bashku tre përfaqësues të prefekturës Sekretari N. dhe Pëllumbi, përgjegjës i mbrojtës dhe inondatave, bile dhe R. përgjegjësi i kontroll- revizinonit (ky nuk e di se çfarë kërkonte). P. që mbulonte zyrën e emergjencave në prefekturë  mbante në dorë një radio me të cilën komunikonte me korpusin.

Arturi, për të disatën herë shfletonte disa letra të ardhura që në vitin 1993, që tregonin se aeroporti ishte vetëm në juridiksion e Këshillit të Rrethit dhe nuk mund të prekej nga bashkia dhe kushdo tjetër. Këtë tezë e mbështeste me forcë edhe zv.kryetar i rrethit, bile me pathos, që kjo gjë nuk duhej lejuar. Zoti H., përgjegjësi  i mbrojtjes në rreth, nxori shembuj të ndryshëm, që ulja e avionit do të jetë e njëjtë si në sheshin e Moskës në kohën e Gorbaçovit. Duke shtuar si me ironi, se si ka mundësi të fluturojë mbi qiellin e Shkodrës një avion pa dijeninë e radarëve tonë etj. Një tjetër tha, se nëse anti- ajrorët mund të gjuajnë avionin, hajde merr edhe përgjegjësitë e kësaj ngjarje. Sepse në këtë avion mund të jetë edhe ambasadorja L.

Të gjitha këto biseda jo normale, unë i mbylla me pak fjalë. Sqarova përpjekjet e adminstratës së mëparëshme të bashkisë për hapjen e fushës për  uljen e avionëve të vegjël aty,  duke frenuar imagjinatën e tyre dhe ironinë, iu përgjigja: “Ushtarët nuk duhet të jenë kaq të mençur sa jemi ne, që pa urdhër të rrëzojnë një aeroplan, pikërisht në këtë kohe”.

N. vazhdonte të fliste me telefon me ministrin e transportit. Ai nuk paraqiste pengesa. Pastaj u bisedua me shefin e Shtabit të Përgjithëm të Ushtrisë, Sh. K. i cili edhe ai nuk e pengonte këtë veprim dhe përfundimisht plani i penguesve kishte dështuar.

Mbas bisedave Kryetari i Bashkisë erdhi. Përsëri N. vazhdoi të porosisë Artanin (pra njëri sekretar, porosiste tjetrin). I pari thoshte që prerja e shiritit të inagurimit të bëhej nga kryetari i komunës Rrethinave, A. Ç. i Partisë Demokratike dhe ky t’ia jepte fjalën Kryetarit të Bashkisë Shkodër, që vinte nga e Partia e Djathta e Bashkuar.

Për të vazhduar me tej, mbas të gjitha këtyre “thashethemeve” ngjarjet rrodhën krejt ndryshe:

Gjithë kohën vazhdonte të binte një shi i imët. Në aeroportin e vogël ishin mbledhur shumë njerëz. Floriani e kishte zbukuruar dhe vizuar  tamam si për një ditë feste. Në orën 11 e 30 min, shiu pushoi. Ceremonia filloi. Retë i përshkoi një rreze dielli që ndriçoi fushën e aviacionit. Në këtë moment sytë u drejtuan nga qielli, ku të gjithë panë depërtimin i një avioni të vogël.

Gëzimi ishte i madh. Pas pak avioni teracoi dhe mori kthesën e duhur duke ndaluar shumë afër tribunës të improvizuar. Piloti hapi derën dhe nxorri shkallën e vogël nga dolën D. Blain dhe H. Nichols etj. Ata u pritën nga Kryetari Bashkisë dhe sekretari, Zv.Kryetari Rrethit dhe Zv. Kryetari i Bashkisë dhe disa amerikanë të Korpusit të Paqes. Së bashku me këta ishin edhe dy punonjës të USAID-it, George Guess dhe James Buds. Të gjithë u përqafuan.

Mbas fjalimit të mirëseardhjes dhe rëndësisë të hapjes të këtij aeroporti të mbajtur nga z. Boriçi, folën edhe amerikanët znj. Blain dhe z. Nichols.

Shiriti kuq e zi u pre nga Kryetari Bashkisë Shkodër, z. Boriçi së bashku me znj. Blain dhe u nda në disa copa tek të pranishmit.

Mbas kësaj të gjithë pushtetarët që kishin kundërshtuar këtë proces vrapuan për të fluturuar me avion. Donin ta shihnin Shkodrën nga lart. Kameramani i RTSH z. Draçini me kameran e tij, i fiksoi këto çaste në tokë por edhe në ajër nga avioni.

Dielli ndriçoi gjatë gjithë fjalimeve dhe ceremonisë. Shokët e rrethit të cilët qysh në fillim erdhën me vonesë, për çudi ikën sapo u ulën nga avioni . Ndoshta tjetër herë në Shkoder do të vijë një avion më i madh dhe do t’i marrë të gjithë pushtetarët e qytetit. Ata kanë nevojë për një xhiro të plote mbi qiellin e bukur të  Shkodrës, për të parë me sytë e tyre çfarë ka nevojë për t’u ndihmuar ky qytet…

Shkodra kishte dhe duhet të ketë një aeroport .

Pas pak mjeti fluturues që kishte teracuar për herë të dytë, u përgatit të merrte zyrtarët amerikanë per t’i dërguar në Tiranë. /Nga Elnar DERVISHI, Shkodër, 21 nandor 1996/

ShkodraWeb Channel