![dossier jordan misja 8 dhjetor 1990](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2024/12/dossier-jordan-misja-8-dhjetor-1990-1024x537.jpg?x67299)
8 dhjetori 1990 nisi si një ditë e shtunë e zakonshme në Shkodër. Ashtu siç nisi edhe 14 janari, 16 qershori apo edhe 2 korriku i të njëjtit vit. Prej kohësh në ajër kishte një atmosferë në mes ndjenjës së frikës, pasigurisë për të nesermes dhe lirisë. Ky i fundit, një term që për më shumë se 40 vite lidhej me “luftën për liri të Skenderbeut ndaj osmanëve”, “për lirinë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë” apo “lirisë nga pushtimi nazi- fashist i vendit”.
Në fakt prej shumë javësh e muajsh, në ajër sillej apo ndjehej një lloj tjetër “lirie”. Ishte një liri, kuptimin e të cilës, nën peshën e 45 viteve të diktaturës komuniste, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Shqipërisë, thuajse ia kishin harruar jo vetëm kuptimin por edhe tingëllimin. Në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja” që sot quhet gjimnaz, prej shumë muajsh diskutohej. Për shumë arsye por dy më kryesoret: një maturant, shok klase i yni, kishte vëllanë në grupin e ngushtë të asaj që do të quhej “Lëvizja e Dhjetorit” si dhe, ai dhe disa shokë të tjerë, kishin tentuar të arratiseshin ato ditë.
Edhe pse informacioni i censuruar ishte në dorën e partisë së vetme- shtet, kishte mjaft lajme që qarkullonin. Edhe sot nuk mund të shpjegohet por pas pak orëve që mund të kishte apo pritej zhvillim në Tiranë, ai përcillej “vesh më vesh” edhe në Shkodër. Ndikim jo të vogël në informim kishin edhe mediat e huaja, radiot e ndaluara të kohës por edhe RAI, televizioni italian që ndiqej gjërësisht në Shkodër edhe përmes “grupit të sekondave” për RAI2. Madje edhe pamjet e para të ekzekutimit të çiftit Çaushesku në Rumani pak muaj më parë, atë burim kishin.
Treni Shkodër- Tiranë dhe anasjelltas, përveç se si mjet transporti për studentë, prindër, pedagogë e qytetarë, sherbente edhe si përcjellës i informacioneve nga të dy anët e lëvizjes së tij. Ky ishte një burim i vazhdueshëm e i pandrëprerë i informacionit, i cili depërtonte në të gjitha mjediset në Shkodër, sigurisht pa patur një “zëdhënës” të identifikuar.
Diskutohej për një organizatë- grupim- parti të studentëve, mbiemri “demokratike” akoma nuk artikulohej. Flitej për kushtet e vështira ekonomike të studentëve në Qytetin “Studenti”, për studentë që për këto kushte apo nga frika e një të panjohure që pritej të ndodhte, po ktheheshin në shtëpitë e tyre. Madje, në shumë raste, prindërit nga rrethet shkonin në Tiranë të merrnin fëmijët e “pabindur”.
Diçka jo e zakonshme, jashtë rutinës së 45- viteve, pritej të ndodhte. Kjo ishte atmosfera që perceptonte një maturant i 1990- ës deri në momentin kur diçka e dukshme, doli në sipërfaqe disa ditë më pas. Do të ishte 13 dhjetor 1990 por kjo është një histori tjetër. /Nga Blerti DELIJA, maturant i “Jordan Misja” 1990/