ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

Dorëzohet Edi Rama, përdor prefektin e Shkodrës t’i kërkojë presidentit Meta datë zgjedhjesh për bashkinë

Sot “ka rrjedhë” si pa dashje një shkresë që Prefekti i Qarkut Shkodër Çesk Millja, i ka dërguar Presidentit të Republikës Ilir Meta lidhur me konstituimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës me 19 gusht.

Teksi është sa qesharak edhe i pakuptimtë. Prefekti e informon Presidentin e vendit për zhvillimin e mbledhjes së konstituimit aq me detaje, sa i kujton se “Këshilli i bashkisë Shkodër përbëhet nga 51 antarë”. Madje ai njofton Metën edhe për emrin e kryetarit të Këshillit. Në të njëjtën kohë, në këtë shkresë Millja bën një përcaktim interesant kur njofton kreun e shtetit se “vendi i kryetarit të Bashkisë Shkodër është vakant”.  Në formën e provokimit, Prefekti i përmend edhe 30 qershorin si “zgjedhje vendore”.

Ajo që vihet re formalisht në këtë shkresë, është se është përgatitur nga dikush jashtë Institucionit të Prefektit. Vihet re nxitimi në përpilimin e saj qoftë në gërmat nistore të institucioneve që citohen (herë me gërmë të vogël e herë me gërmë të madhe për Bashkinë e Shkodrës). Po ashtu, institucionalisht, Presidentit të Republikës i duhet drejtuar gjithmonë me SH.T.Z dhe natyrisht, me Ju ku gërma nistore duhet të jetë kapitale. Ajo që bie në sy, është lënga ku shkruhet “njoftim” dhe jo “informacion”. Termi “njoftim” është në rastin kur mbledhja nuk është zhvilluar akoma ndërsa “informacion”, kur ajo ka përfunduar.

Përtej formës, thelbi i letrës është i qartë. Prefekti i Qarkut Shkodër, si përfaqësues i qeverisë, kërkon të testojë Presidentin Meta lidhur me pozicionimin e tij për situatën e pazakontë të krijuar nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit. Nuk është e qartë nëse edhe prefektët në qarqet e tjera i kanë dërguar Metës letra të ngjashme informuese pas konstituimit të këshillave bashkiakë në qarqet respektive. Po letra e Milljas nuk nënkupton se pret përgjigje nga kreu i shtetit.

Sipas gjasave, Kabineti i Metës mund edhe të mos kthejë fare përgjigje. Pa llogaritur se, ato që Millja informon Presidentin, janë të njohura gjerësisht e madje të transmetuara “live”.

Letra e Prefektit Millja mund “të lexohet” vetëm në një mënyrë: Edi Rama nuk po gjen “shteg” për të marrë Shkodrën “në tavolinë” siç ka qejf. Juristët duhet t’i kenë thënë se rruga e vetme kalon përmes një date zgjedhjesh, e cila duhet të dekretohet nga Presidenti Meta. Prandaj, Rama ka urdhëruar vartësin e tij Millja, ti dërgojë një letër- kujtesë Presidentit, por pa guxuar t’i kërkojë as indirekt një datë zgjedhjesh të parakohshme për Shkodrën. Arsyeja është e thjeshtë: Për Metën me 30 qershor nuk ka patur zgjedhje legale, ato janë me 13 tetor. Rebusi bëhet më i vështirë për t’u zgjidhur: Rama kërkon një datë zgjedhjesh për Shkodrën, Meta ka caktuar 13 tetorin për të gjithë Shqpërinë ndërsa nuk njeh 30 qershorin që e ka zhdekretuar. Prefekti Millja është thjeshtë instrumenti për të testuar Presidentin e Republikës. /Shënim i ShkodraWeb/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.