Dorëheqjet dhe shkarkimet e drejtorëve rajonalë në Shkodër, shenjë e ndryshimit të lidershipit lokal brenda PS…?!

Një tjetër drejtor rajonal ka njoftuar sot largimin nga pozicioni i tij në DRSHTRR- në Shkodër. Brenda pak javësh që pasuan zgjedhjet parlamentare, është i treti në radhë dhe paralajmërohen edhe ndryshime të tjera. Kadastra dhe Tatimet ishin dy drejtori të rëndësishme që liruan karriket e titullarëve për t’ia kaluar titullarëve të rinj politikë.

Rezultati i marrë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, përveç një rezultati zhgënjyes për PS- në që humbi edhe një mandat deputeti krahasuar me 4 vite më parë, rrëzoi edhe lidershipin politik të Qarkut Shkodër. Ilir Beqaj, i cili nuk mori dot mandat duke qenë i katërti në listë dhe në pamundësi për të thyer “herësin” e PS- së, nuk është më “de jure” e as “de facto” lideri politik i Qarkut më të madh të Veriut.

Në skenë ka dalë një emër i ri, ai i kryesueses së listës së PS- së me 25 prill 2021, Edona Bilali. Ajo është orientuar të amplifikohet apo vetë promovohet edhe kur nuk duhet apo nuk nevojitet ta bëjë. Jo radhë, madje edhe për tifozët në një ndeshje futbolli, ajo është prezantuar si “personi me ndikim direkt edhe tek Edi Rama”. Për vendimmarrjet e tij lidhur me Shkodrën, kuptohet.

Ajo është vetëofruar edhe si një “urë bashkëpunimi” në mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore. Ndërkohë, një person tjetër, për të cilin Bilali shprehet se është “njeriu që merremi vesh me sy që ditën e parë”, është përfolur prej muajsh si një ministër i mundshëm në qeverinë e re Rama, që pritet të marrë jetë në shtator, bashkë me nisjen e parlamentit të ri.

Ai është Benet Beci, i cili është një emër mjaft i njohur, “i djathtë” siç e ka prezantuar edhe publikisht Edi Rama. Nëse Edona Bilali është pjesa e “imazhit publik” të PS- së që po stimulon kryeministri aktual, Beci do të jetë “njeriu i projekteve”, ashtu siç është paraqitur edhe gjatë fushatës elektorale. Nuk përbën asnjë sekret se marrëdhëniet e tij me beqjan, sidomos në çeshtje protagonizmi politiko- publik, nuk janë më të mirat e mundshme.

Në Qarkun e Shkodrës, duket se Rama po i jep jetë një dysheje politike, me komponentë të mirëpërcaktuar: imazh dhe përmbajtje. Sipas gjasave, Bilali dhe Beci nuk kanë vështirësi për të arritur në konvergime për emra të ndryshëm për drejtorë e drejtues rajonalë në Shkodër. Sigurisht, si qark, por pa përfshirë Malësinë e Madhe, ku akoma mbetet i fortë Paulin Sterkaj, më i votuari nominalisht në listën e PS- së.

ShkodraWeb Channel

Deri në formimin e qeverisë së re, do të ketë ikje të zhurmshme dhe të padukshme por që do të jenë shprehje e vullnetit të lidershipit të ri politik të PS- së në Qarkun e Shkodrës. Tani që Ilir Beqaj nuk do të jetë më deputet dhe ndikimi i tij në këtë nahije, duhet të minimizohet deri në zhdukje të plotë. /Sokol N. SOKOLI/

ShkodraWeb Channel

Open

Close