Kandidati i PS për Bashkinë e Lezhës Pjerin Ndreu i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24” nga gazetarja Nisida Tufa foli për incidentin me Sahit Dollapin, ku në pamje shihej sesi policia e godiste atë me shkop gome.
Ndreu tha se pasi Dollapi u rrëzua, ai nuk duhej që të goditej.
“Protesta mund të bëjë kushdo, opozita nuk ndalohet të protestojë. Precedent është ai që kanë djegur mandatet. Gjithë bota nuk e bën atë. Policia është përgjigjur kur rrezikohet.
Nuk e di se çfarë ka hedhur Dollapi, por policia ka të drejtë të veprojë. Në SHBA policia të vret po i ngrite dorën. Pasi u rrëzua, policia duhet të mos e godiste, sidomos në publik. Megjithëse standardet janë ku e ku, pasi më 21 janar janë vrarë njerëz”, deklaroi Ndreu.
Natyrisht, nuk ka nevojë për shumë komente. “Sidomos në publik…nuk duhej goditur”. Sepse çfarë ndodh pas syve të publikut, nuk mund ta marrim vesh dhe…nuk është se na intereson shumë, është porosia që ish- deputeti, ish- drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, sot kandidat për kryebashkiak, jep për uniformat blu.