Pas udhëzuesit teknik të Ministrisë së Shëndetësisë për mësimin në kushtet e pandemisë, ajo e Arsimit ka gati draftin me detajet e zhvillimit të procesit mësimor, që do t’ua shpërndajë shkollave më 1 shtator.
Dokumenti përfshin çdo detaj, që nga ndarja e klasave, orëve e deri te vlerësimi, sipas tre skenarëve të mundshëm. Ata mund të zbatohen të tre njëkohësisht edhe brenda një shkolle, ashtu siç edhe mund të nisë zbatimi i një varianti e të ndryshojë rrugës, varësisht nga situata e Covid-it. Infrastruktura e objekteve arsimore, numri i nxënësve për klasë dhe ecuria e pandemisë do të diktojnë planin që i përshtatet një shkolle, e cila i është lënë në dorë drejtorit ta zgjedhë, me miratimin paraprak nga MASR.
“Mund të ndodhë që brenda një qyteti të ketë një shkollë që e zhvillon procesin mësimor normalisht dhe një shkollë që zbaton mësimin e kombinuar, siç mund të ndodhë që një shkollë ta nisë procesin mësimor normalisht dhe më pas të vijojë me mësim në kushtet e shtëpisë, për shkak të përhapjes së virusit”, citohet në draftudhëzuesin për fillimin e vitit të ri shkollor.
MËSIMI NË KLASA
Shkollat që nuk kanë më shumë se 20 nxënës për klasë dhe përmbushin kushtet për distancimin, mund të zhvillojnë mësim normal me orë 45- minutëshe e pushim të gjatë ndërmjet. Shkollat me një turn, por që kanë mbi 20 nxënës/klasë, duhet ta ndajnë çdo klasë në dy grupe që do të mësojnë përkatësisht nga 08:00-11:15 dhe 11:45-15:00.
Në këtë rast, orët do të jenë 30- minutëshe dhe mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Koha shtesë për çdo mësues, sipas MASR-së është 7 orë në javë, të cilat do të paguhen si orë suplementare ose mund të rekrutohen mësues shtesë.
E njëjta shkollë mund të përdorë të dyja variantet. Klasat I-V sugjerohet të kenë përparësi në turnin e paradites dhe në funksion të këtij qëllimi të përdoren edhe ambientet e përbashkëta, si: palestra, biblioteka apo salla të mëdha. Pastaj janë edhe shkollat super të ngarkuara, që nuk përmbushin asnjë lloj protokolli, të cilat duhet të ndahen në tri apo katër grupe, që MASR preferon t’i cilësojë dy turne me disa nënturne.
Mësimi aty do të nisë normalisht dhe do të zgjasë deri në mbrëmje, 19:45, dhe orët janë përllogaritur vetëm 25 minuta, të cilat do të zhvillohen nga dy njëra pas tjetrës.
Shkollës i duhet të hartojë grafik, qoftë për hyrje-daljet, ashtu edhe për orët mësimore për të gjitha turnet e çdo klase (detajet e orëve/turn, në tabelën e mëposhtme).
Kjo metodologji do të përdoret edhe në rastet kur brenda një godine arsimore mësojnë nxënësit e dy shkollave. Në varësi të mjediseve që ka shkolla dhe numrit të nxënësve për klasë, kur është e mundur distanca, mund të zhvillohet edhe mësimi me tri turne. Kombinimet janë fleksibilitet i shkollës.
MËSIMI I KOMBINUAR
Ndryshe nga ç’është përfolur deri më tani, mësimi i përzier nuk konsiston në kombinimin e mësimit në klasë me atë online. Por, një javë mësim në shkollë dhe një javë në shtëpi.
Më të lehtë, adaptimin e kanë shkollat me numër të vogël nxënësish, ku në një javë tek mësojnë klasat 1, 3, 5, 7, 9, ndërkohë që në klasat 2, 4, 6, 8 mësojnë online dhe këmbehen në javët pasuese. Shkollat me numër të madh dhe shumë të madh nxënësish do të duhet që përveç kombinimeve sipas kushteve specifike, të bëjnë orare të reja sipas grupeve dhe grafik për hyrje-daljet në shkollë.
Edhe këta do të mësojnë në orë 30-minutëshe, me nga dy njëra pas tjetrës.
Mësimi reduktohet në 25 minuta për shkollat me më shumë se dy turne. Metodologjia e mësimit në këtë rast nuk ndryshon, por vetëm vlerësimi, i cili bëhet vetëm për orët që nxënësi është prezent në klasë.
MËSIMI NË SHTËPI
Skenari më i padëshiruar dhe më i keqi i mundshëm, që ka në prapavijë një situatë të rënduar pandemie, qoftë në nivel kombëtar, lokal apo shkolle.
Ndonëse mund të ketë nisur me tjetër skenar në krye të herës, shkolla do të duhet të hartojë orar të ri nga fillimi për mësimin në distancë me orë 25-minutëshe. Edhe në draft, ky variant është vijëzuar me të kuqe, çka nënkupton zbatimin kur shkolla, qyteti apo mbarë vendi është në ditën e tij më të keqe.
Mësimi i përzier kur situata është mëse shqetësuese dhe mësimi fizik në klasa në këtë situatë që jemi sot. Vendimin final e merr drejtuesi, pasi ka informuar Ministrinë.
SHEMBULL, KLASAT ME DY TURNE
Klasa IX-A ka 33 nxënës.
Klasa ndahet në dy grupe.
Grupi i parë ka 17 nxënës.
Grupi i dytë ka 16 nxënës.
Klasa IX-A ka vetëm një regjistër, me të cilin punojnë të dyja grupet.
Ndarja në dy grupe kryhet mundësisht duke ndjekur renditjen e nxënësve në regjistër: p.sh., grupi i parë nga numri 1- 17, ndërsa grupi i dytë nga numri 18-33. Nxënësit nuk mund ta ndryshojnë grupin sa herë të duan.
Ata do të caktohen në fillim në njërin prej grupeve dhe do ta vijojnë mësimin vetëm në atë grup. Orari i mësimit do të hartohet për grupin e parë të klasës IX-A, njësoj siç është hartuar edhe më parë nga shkolla.
I njëjti orar do të zbatohet edhe për grupin e dytë. Grupi i parë do të zhvillojë mësim nga ora 8:00-11:15, ndërsa grupi i dytë nga ora 11:45-15:00.
Nxënësit e një grupi kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime për angazhimin, pjesëmarrjen dhe frekuentimin, si edhe në klasat e plota.
NDARJA NË 3 TURNE
Shembull i organizimit të mësimit në një shkollë 9-vjeçare me numër të madh nxënësish me një turn të parë dhe dy nënturne të turnit të dytë
Klasat 1-5 (Arsim Fillor) zhvillojnë mësim në turnin e parë nga ora 8:00-10:45
Klasat 6-9 (Arsim i Mesëm i Ulët) zhvillojnë mësim në dy nënturnet e turnit të dytë.
Secila klasë ndahet në dy grupe. Ndarja në dy grupe kryhet mundësisht duke ndjekur renditjen e nxënësve në regjistër:
p.sh., grupi i parë nga numri 1- 15, ndërsa grupi i dytë nga numri 16-30. Nxënësit nuk mund ta ndryshojnë grupin sa herë të duan.
Ata do të regjistrohen në fillim në njërin prej grupeve dhe do ta vijojnë mësimin vetëm në atë grup. Nxënësit e një grupi kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime për angazhimin, pjesëmarrjen dhe frekuentimin, si edhe në klasat e plota.
Klasat VI-IX, grupi i parë mësim nga 11:00-13:45.
Grupi i dytë, klasa VI-IX, mësim nga 14:00-16:45.
SHEMBULL, NDARJA NË 4 TURNE
Klasat 1-5 (AF) zhvillojnë mësim në dy nënturnet e turnit të parë. Secila klasë ndahet në dy grupe.
Ndarja në dy grupe kryhet mundësisht duke ndjekur renditjen e nxënësve në regjistër: p.sh., grupi i parë nga numri 1- 15, ndërsa grupi i dytë nga numri 16-30.
Nxënësit nuk mund ta ndryshojnë grupin sa herë të duan. Ata do të regjistrohen në fillim në njërin prej grupeve dhe do ta vijojnë mësimin vetëm në atë grup.
Nxënësit e një grupi kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime për angazhimin, pjesëmarrjen dhe frekuentimin, si edhe në klasat e plota. Një klasë ka vetëm një regjistër, me të cilin punojnë të dyja grupet.
Klasat I-V, grupi i parë, mësim 08:00-10:45. Klasat I-V, grupi i dytë, mësim 11:00-13:45.
Klasat VI-IX (AMU) zhvillojnë mësim në dy nënturnet e turnit të dytë. Secila klasë ndahet në dy grupe.
Ndarja në dy grupe kryhet mundësisht duke ndjekur renditjen e nxënësve në regjistër: p.sh., grupi i parë nga numri 1- 15, ndërsa grupi i dytë nga numri 16-30.
Nxënësit nuk mund ta ndryshojnë grupin sa herë të duan. Ata do të regjistrohen në fillim në njërin prej grupeve dhe do ta vijojnë mësimin vetëm në atë grup.
Nxënësit e një grupi kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime për angazhimin, pjesëmarrjen dhe frekuentimin, si edhe në klasat e plota.
Klasat VI-IX, grupi i parë, ora 14:00-16:45 Klasat VI-IX, grupi i dytë, ora 17:00-19:45
TRE SKENARËT
SKENARI 1: Mësimi zhvillohet në mjediset fizike të shkollës, duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, nëse situata e pandemisë është e qëndrueshme.
SKENARI 2: Mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë), duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, në rast se do të ketë situatë të rënduar të pandemisë.
SKENARI 3: Mësimi zhvillohet vetëm në distancë, në rast se situata e COVID-19 përkeqësohet shumë në nivel kombëtar, në nivel lokal ose në nivel shkolle.