DOKUMENTI – Zbulohet projekti i PD- së për reformën territoriale në Veriun e vendit, Bashkia Shkodër tkurret ndjeshëm

Reforma territoriale është rikthyer në vëmendjen e politikës shqiptare dhe opinionit publik. E përmbyllur në vitin 2015 pa pjesëmarrjen e PD- së, duket se ka një konsensus paraprak për të diskutuar mundësinë e ndryshimeve në ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. PD madje ka bërë të njohura disa ndryshime në këtë linjë, duke nisur nga Kushtetuta e vendit, rrjedhimisht të reflektuara edhe në ligjin organik të cituar më sipër.

Ndërkohë, kanë nisur të qarkullojnë edhe dokumente të tjera, siç është një hartë e ndarjes në bashkive në Veri, e më specifikisht në Qarkun e Shkodrës. Harta, e cila këto ditë është në tavolinat e ekspertëve dhe politikanëve nga Shkodra në Tiranë, paraqet një panoramë të ndryshme nga ajo që njohim nga zgjedhjet vendore të 2015- ës.


Ajo që bie në sy në pamje të parë, është tkurrja e jashzëzakonshme e Bashkisë së Shkodrës, asaj që njihet pas vitit 2015. Praktikisht, kjo njësi administrative shumë e rëndësishme, kthehet tek “vijat e verdha” të qytetit të dikurshëm, përfshi Shirokë, Zogaj dhe Zues. Bashkia Malësi e Madhe që është aktualisht, ndahet në dy, duke rikthyer Bashkinë Koplik e shtuar Bashkinë Kastrat. Disa njësi administrative të Dukagjinit, Rrethinat dhe Postriba, do të krijojnë Bashkinë Drivast. Bashkia Vau- Dejës do të jetë thuajse siç ka qenë para 2015- ës, ndërsa do të lindin Bashkia Velipojë dhe Bashkia Bushat. Po ashtu, do të krijohet edhe Bashkia Zadrimë nga bashkimi i disa fshatrave të Rrethit të Shkodrës (dikur) dhe Lezhës. Bashkia Pukë do të ngelet, duke hequr nga lista Bashkinë Fushë Arrëz. Pak a shumë, nga 5 që janë aktualisht, do të kalohet në 9 bashki, edhe me bashkime me Qarkun e Lezhës siç është aktualisht.

Me një hulmtim të thjeshtë, vërehet se projekti i prezantuar nga PD, nuk është diçka e re. Është një projekt i prezantuar në vitin 2013- 2014, por që nuk u bë pjesë e diskutimit për reformën territoriale në atë kohë sepse opozita bojkotoi. Nuk është e vështirë të kuptohet se Bashkia Shkodër, nëse do të miratohet kjo ndarje, është më e dëmtuara. Me tkurrjen e parashikuar, Bashkia Shkodër rrezikon të kthehet në bashki të nivelit të dytë, edhe për shkak të popullsisë.

Po ashtu, shkëputja e Velipojës do të ishte një tjetër lajm i keq. Zona turistike ka qenë burim të ardhurash për Bashkinë e Shkodrës, me rreth 1/3 e totalit të tyre. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e bisneseve, janë të banorëve të qytetit të Shkodrës. Tkurrja e Bashkisë aktuale të Shkodrës, ka edhe një problametikë tjetër jo të vogël. Nga 2015 dhe deri në përfundimin e një reforme të re të pritshme territoriale, fondet e investimeve dhe sherbimeve do të ndahen si deri më tani. Që do të thotë, se me paratë e lagjeve të qytetit, do të vazhdohet në një territor, i cili mbase nuk do të jetë më pjesë e bashkisë së rë qeë mund të krijohet më vonë. Nëse i konsiderojmë si investime, ato vështirë që mund të kthehen më mbrapsht në favor të qytetit të Shkodrës.

Mëse 6 vite nga reforma territoriale aktuale, është fituar një farë eksperience, janë evidentuar problematike. Nuk do të ishte aspak normale që për interesa të dikujt/disave, të implementohen ndarje- bashkime mekanike, duke prekur edhe kufijtë e rretheve të dikurshme e qarqeve të sotme. E përfunduar me nxitim dhe në mënyrë të njënashme, reforma territoriale e 2015- ës, evidentoi mjaft probleme. Që ato të mos përsëriten, reforma e re e pritshme territoriale, duhet të jetë më e kujdesshme dhe më e saktë. Mbi të gjitha, në nivelin e parë të qeverisjes vendore, qarqet, duhet të jetë e thellë dhe me reduktim maksimal të numrit 12 që është aktualisht. Natyrisht, edhe me rritje të kompetencave të qarqeve apo rajoneve. /ShkodraWeb/