
Skandali për cilësinë e miellit vijon tanimë me prova konkrete. Disponohet dokumentin, në të cilin Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kallëzuar në Prokurori dy prej kompanive më të mëdha importuese të miellit në vend, “Vëllezërit Hallaçi” dhe “Besniku sh.p.k” të cilat kanë deklaruar shifra të gabuara të nivelit të proteinave.
Ky kallëzim në prokurori vjen pasi AKU ka ushtruar kontrolle zyrtare intensifikuese mbi monitorimin e këtyre Operatorëve me aktivitet ekonomik “Prodhim, përpunim, ambalazhim e fabrikim i miellrave të llojeve të ndryshme, tregtim me shumicë e pakicë i tyre, import-eksport i tyre”, të cilat produktin “Grurë” dhe produktin “Miell” e importojnë nga vendet e tjera, kryesisht nga vend-origjina (Rusia, Serbia, Italia etj…) duke i sjellë këto produkte ushqimore në territorin Shqiptar, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar ose në mënyrë të jashtëligjshme. Në kallëzimin e dorëzuar në prokurori, AKU thotë se:
“Gjatë inspektimit u konstatua se ka një mospërputhje të madhe në lidhje me deklarimin e % së proteinës së miellit të grurit në dokumentacion shoqërues doganor si dhe në etiketën e produktit të paketuar, me rezultatet e analizave laboratorike që kanë rezultuar gjatë analizimeve të bëra nga speacialistët e laboratorit. Të dyja kompanitë Vëllezri Hallacci dhe Besniku sh.p.k kanë bërë importimin e produkteve të miellit të Grurit nga Shteti i Kosovës, nëpërmjet deklarimit të rremë në pikat kufitare në lidhje me cilësinë e produktit të miellit të grurit, duke e futur këtë produkt në territorin shqiptar jo me cilësinë e duhur së pasqyruar në dokumentacion doganor dhe në etiketën e produktit.”
Në kallëzimin e AKU njoftohet se pamjaftueshmëria e proteinave në organizëm sjell pasoja të rënda edhe për kategoritë e veçantë të konsumatorëve siç janë fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Mungesat proteinike ndikojnë më shumë në rritjen e fëmijëve, duke qenë se kjo është periudha më vendimtare ku dhe nevojat për proteina janë më të larta. Gjatë periudhës së shtatzënisë, marrja e pakët e proteinave nga nëna ndikon negativisht në zhvillimin e fetusit. /shqiptarja.com/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!