Rruga e Dukagjinit, një nga projektet strategjike të propozuara dhe të kërkuara nga Bashkia Shkodër, po shkon drejt realizimit. Bëhet me dije se është shpallur fituesi i tenderit për projektim e këtij aksi shumë të rëndësishëm zhvillimor për zonën e Dukagjinit.
Fitues është shpallur kompania “InfraKonsult” shpk, e cila ka 4 muaj kohë për realizimin e projektit. Kostoja e hartimit të projektit është rreth 248 mijë USD.
Projekti në fjalë, duhet të jetë pjesë edhe e konsultimit me publikun. Kjo, pasi projekti duhet të përfshijë të gjitha njësitë administrative të zonës së Dukagjinit, duke mos përjashtuar anjërën nga përfitimi i këtij projekti madhor.
Fituesi i tenderit të projektimit është shpallur zyrtarisht me 23 mars 2022 ndërsa duhet të jetë i përfunduar si projekt brenda fundit të muajit korrik 2022. Ajo që mbetet të shihet është fillimi konkret i punimeve pas përfundimit të projektit.
Situata aktuale ka sjellë reduktimin e investimeve për shumë vepra të rëndësishme. Mbetet të shihet nëse do të ketë pasoja edhe për këtë projekt të rëndësishëm për Dukagjinin, Bashkinë Shkodër por edhe zhvillimin e turizmit malor. /ShkodraWeb/