Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese dy ankesa, njëra për votimet e 30 qershorit dhe tjetra për Partinë Bindja Demokratike. Megjithëse Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi që drejton shoqatën e bashkive, theksoi se shpresonte që me t’u krijuar kjo gjykatë të shqyrtonte kërkesat e tyre.
“Ne sot, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, kemi referuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën me objekt konstatimin antikushtetues të procesit zgjedhor të zhvilluar më 30 qershor për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore dhe njëkohësisht, kërkesën me objekt verifikimin e kushtetueshmërisë së veprimtarisë së Partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë në lidhje me votimet e 30 qershorit me argumentet që tashmë janë të ditura. Ne jemi këtu duke iu referuar asaj që është e drejtë kushtetuese dhe e drejtë e qytetarëve për të zbatuar kushtetutën. Kemi parashtruar të gjitha arsyetimet tona që bazohen në nenet e Kushtetutës”, theksoi ajo.