
Me një kërkim të thjeshtë në arkivën e ShkodraWeb, në këtë LINK që mund ta klikoni vetë, është një lajm i datës 8 maj 2023. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Vllaznisë, mësohet se presidenti Alban Xhaferi, kishte nënshkruan solemnisht me kandidatin për kryetar bashkie të Shkodrës, Benet beci, një akt- marrëveshje apo “Pak për zhvillimin e futbollit 2023- 2027”, aq sa zgjat mandati i një të zgjedhuri vendor.
Lajmi jo pak i bujshëm, u shpërnda në faqen zyrtare të KF Vllaznia në internet (mund ta gjeni akoma duke klikuar këtë LINK) siç edhe në faqen zyrtare në Facebook të KF Vllaznia (mund ta gjeni duke klikuar këtë LINK). Ky pakt, ka një preambul apo parashtrim dhe pasohet nga disa paragrafë dhe pika mjaft interesante, mes të cilëve, edhe ai që shikoni më poshtë.
Në pikën e parafundit të këtij paragrafi, nënshkruesit, Alban Xhaferi si president i KF Vllaznia dhe Benet Beci, atëherë kandidat e sot kryetar i Bashkisë Shkodër, kanë parashikuar me shkrim “Krijimi i hapësirave funksionale për zhvillimin e aktiviteteve sociale, kulturore dhe rekreative” me titullin e paragrafit “Kthimi i stadiumit “Loro Boriçi” në një qendër të madhe sportive”.
Pas rreth dy viteve nga nënshkrimi i këtij pakti, Bashkia Shkodër ka njoftuar një koncert recital “Qejfi bahet me shkodranë” nga Bujar Qamili, “Nderi i Kombit”, pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi”. Pyetja e parë që mund të ngrihet: A është ky koncert një aktivitet kulturor? A e ka pranuar me firmën e tij presidenti i KF Vllaznia organizimin e aktivitetit kulturor në stadiumin e marrë në administrim nga Bashkia e Shkodrës për 35 vite? A duhej që Bashkia e Shkodrës, si pronare e këtij impianti, të konsultohej paraprakisht me administruesin e stadiumit, KF Vllaznia, për organizimin e koncertit recital të Bujar Qamilit? A ka një vendim të Këshillit Bashkiak për dhënien në administrim për 35 vite të stadiumit në favor të KF Vllaznia, sepse vetëm ai mund ta japë këtë privilegj për asetet publike të Bashkisë Shkodër? Sepse pakti është nënshkruar në mes një kandidati për kryetar bashkie, rreth 1 javë para zgjedhjeve, me një president të një skuadre futbolli.
Derisa të ketë përgjigje (nëse do të ketë) për këto pyetje, më poshtë mund të lexoni të plotë paktin e nënshkruar me 8 maj 2023 nga kandidati për kryetar bashkie Benet Beci (sot, prej rreth 2 vitesh kryebashkiak) me presidentin e KF Vllaznia, atëherë dhe sot, Alban Xhaferi. /Nga Sokol N. SOKOLI/