
Ashtu siç Sali Berisha e paralajmëroi pak ditë më parë gjatë Foltores që pati në Lezhë, ka nisur puna për përditësimin e listave të anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Ditën e sotme, Degët e Partisë Demokratike kanë marrë udhëzimin për procesin dhe metodologjinë që duhet të ndjekin me qëllim përditësimin e listave të anëtarësisë, objektiv i cili përcaktohet të arrihet deri më 20 shkurt të këtij viti.
Në udhëzim thuhet se për realizimin e këtij procesi do të ngrihet një Grup Pune në çdo degë të PD-së, i cili do monitorohet nga Drejtuesi Politik i Qarkut ku bën pjesë Dega.
Baza e të dhënave mbi të cilat do të punojë grupi i punës janë të dhënat e anëtarësisë të pasuruar me pjesëmarjen e anëtarësisë në proceset zgjedhore nga viti 2021 dhe përfshin gjithë proceset zgjedhore nga Kuvendi i Rithemelit të Berishës më 18 dhjetor 2021, deri më sot, duke përjashtuar primaret me simpatizantët.
Në zbatim të deklaratave të Berishës për spastrime masive, në udhëzim theksohet se nuk do të konsiderohen anëtarë të Partisë Demokratike, ata që kanë punuar kundër interesave të Partisë Demokratike në fushatat zgjedhore, duke u angazhuar në forma të ndryshme pro kundërshtarëve tanë politikë apo që me qëndrimet e tyre publike dhe politike sipas nenit 24 të Statutit dhe nenit I, III, IV, V dhe X të Kodit të Etikës kanë vepruar kundër vijës politike të Partisë Demokratike, kanë bashkuar votat/qëndrimet me kundërshtarët tanë politikë për çështje shumë të rëndësishme në nivelin vendor apo qendror.
PËR TË LEXUAR UDHËZIMIN E PLOTË, KLIKONI KËTU





