Kryeministri Edi Rama e paralajmëroi pasditen e sotme se në Kuvend depozitohet kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës që i hap rrugë listave të hapura por edhe ndalimit të koalicioneve.
Në kërkesën e depozituar në Kuvend, midis 29 deputetëve që kanë firmosur nuk janë vetëm ata nga radhët e opozitës, por edhe deputetë që mbështesin hapur PS-në, si Reme Lalaj, Lefter Koka dhe Elena Xhina.
Në kërkesën e riprotokolluar në Kuvend, kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së vendit, duke kërkuar rritje të pragut prej 5% për ndarjen e mandateve, hapjen e listave dhe ndalimit të koalicioneve parazgjedhore
“Amendamentet parashikojnë pragun prej 5% të votave të vlefshme si kusht për përfshirjen dhe shpërndarjen e mandateve për partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe për shkak të modelit të sistemit të propozuar, Kushtetuta duhet të parashikojë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore”, thuhet në amendamentin e depozituar në Kuvend, shoqëruar edhe me një listë të vendeve demokratike që kanë sistem me lista të hapura për deputetë.
Deputetët nismëtarë kërkojnë një sistem rajonal me lista të hapura ose pjesërisht të hapura.
Në dokument mungojnë firmat e disa prej deputetëve të djathtë si Korab Lita dhe Alban Zeneli, si dhe të Artur Roshit edhe Besnik Troplinit, të cilët hoqën dorë publikisht. Ndërkohë, në listë mungon emri i deputetes tjetër të djathtë, Rudina Hajdari, e cila ka folur më së shumti në publik për hapjen e listave.
Ndërkohë, dokument ka edhe një shënim për deputetin Kostaq Papa, i cili thuhet se është dorëhequr mediatikisht. /PanoramA/