DOKUMENTI – “Nuk jam dorëhequr”, pas lajmit për zëvendësim nga Basha, flet deputeti dhe kryetari i PD- së…

Sot në disa media doli lajmin se deputeti i PD-së, Luan Baçi nuk do të jetë më në krye të degës së PD në Fier dhe se në vend të tij është emëruar Agron Kapllanaj. Pasi ka zhvilluar një mbledhje urgjente me kryesinë e PD në Fier, Baçi për mediat theksoi se atij nuk i ka shkuar asnjë njoftim zyrtar për shkarkimin.

”Nuk kam asnjë lloj njoftimi për shkarkimin apo emërimin e dikujt tjetër. Dje pata një takim me Bashën ku më kërkoi që të jap mbështetjen time për dakordimin komandimin e dikujt tjetër, pa më dhënë asnjë arsye. I thashë nuk jap dakordësi në këtë drejtim pasi nuk shikoj ndonjë problematikë te dega demokratike e Fierit, një degë që ka dhënë rezultate të mira.


Në një situatë të tillë tollovie në anëtarësi, një veprim i tillë është i nxituar. Në mëngjes u ndodha para faktit ku mediat jepnin lajmin për shkarkimin tim dhe emërimin e dikujt tjetër. Mblodha kryesinë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që kishin. Nuk jam tifoz as me Bashën as me Berishën, PD është një parti që kryetarët ndërrohen ndërsa unë jam me PD. Unë jam për respektimin e statutit. Lëvizjet brenda PD i bëjnë mirë partisë. Nuk kam marrë pjesë në bërjen e listës së deputetëve.

Unë e mirëpres lënien e vendit të kryetarit të degës, jam pro lëvizjeve, kam dy mandate si kryetar i degës, ka resurse që dega Fier të ketë kryetar të mirë, por kjo del me votën e Kryesisë jo me emërime bërje qokash. Vendimet e pa mbështetura në statut që nuk marrin miratimin e kryesisë, na sjellin çrregullime dhe na çojnë në humbje pas humbje. PD ka nevojë për një rithemelim, një ringritje për të qenë të fortë përballë një armiku që ne kemi, Edi Ramës”, ka thënë deputeti Baçi.