
Ditën e enjte, 2 prill 2026, ora 12:00 është njoftuar mbledhja e Bordit të Administrimit (BA) të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku do të vendoset për administratorin e ri të këtij IAL- je. Në këtë mbledhje, pritet të jetë i pranishëm edhe rektori Tonin Gjuraj, siç edhe mbledhjen paraardhëse që nuk u zhvillua për mungesë kuorimi të anëtarëve të BA- së, e drejtë që ia jep Statuti i UNISHK.
Ndërkohë, pasditen e 31 mars, në orën 16:00, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mirela Kumbaro Furxhi, ka takuar në Tiranë 4 anëtarët e BA- së, përfaqësues të këtij dikasteri qendror. Burime për ShkodraWeb, bëjnë me dije se në këtë takim, Kumbaro ka kërkuar nga 4 anëtarët e zgjedhur nga MAS në BA, të mbështesin njërën nga kandidaturat në garë. Sigurisht, 4 anëtarët përfaqësojnë MAS në Bordin e Administrimit të UNISHK, por orientimi për votën gjykojmë është i tepërt. Ata duhet të votojnë në bazë të bindjes së tyre që kanë krijuar pasi janë njohur me dokumentacionin dhe intervistave përballë.

Pak orë para mbledhjes së ditës së enjte, ShkodraWeb ka arritur të sigurojë dokumentin që tregon mënyrën se si kanë votuar 7 anëtarët e Bordit të Administrimit për 4 kandidatët në garë. Vlerësimi, siç mund ta konstatoni më lart, ndahet në vlerësim për dosjen (dokumentacionin) e paraqitur dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e vendosura. Për këtë shkak, pra shqyrtimit të dokumentacionit, kriteri është më i rëndësishmi sepse bazohet në masën e përmbushjes së kritereve të konkurrimit të shpallura nga UNISHK. Në këtë vlerësim, renditja është si më poshtë:
1.Kozeta Jana
2.Julian Përgega
3.Mark Molla
4.Armando Vata
Kriteri i dytë, është vlerësimi pas intervistës së kandidatëve përpara anëtarëve të BA- së. Pra, aftësia që kanë patur kandidatët të përgjigjen për pyetje të ndryshme nga anëtarët e Bordit të Administrimit. Ky vlerësim është edhe subjektiv pasi bazohet në përshtypje individuale të çdo anëtari të BA- së. Në këtë vlerësim, renditja është si më poshtë:
1.Mark Molla
2.Kozeta Jana
3.Julian Përgega
4.Armando Vata
Në të dy kriteret, maksimumi i pikëve që mund të jepen është 50. Përtej kësaj logjike, vlerësimet janë bërë dhe renditja është ajo që shikoni më sipër. Megjithatë, formalisht duhet të ketë një votim të 7 anëtarëve të BA- së, i cili duhet të jetë i fshehtë meqë bëhet fjalë për emra individësh. Pro një kandidati, duhet të jenë 5 anëtarë të BA- së. Mbledhja e ditës së enjte, pritet të shpallë edhe fituesin, gjithmonë nëse do të plotësohet kuorumi i anëtarëve të BA- së, pas thirrjes së 4 anëtarëve në MAS. /ShkodraWeb/




