
I pari i listës së Partisë Demokratike në Shkodër në vitin 2017, Romeo Gurakuqi, dhe ish-Presidenti Bujar Nishani janë përfshirë në një debat të ashpër me akuza personale ndaj njëri-tjetrit si ish-bashkëpunëtorë të sistemit.
Pas akuzave të ndërsjella, ish-deputeti i Shkodrës Romeo Gurakuqi ka shkuar më tej saqë ka bërë një padi penale ndaj ish-Presidentit Nishani. Ditën e djeshme Gurakuqi ka lajmëruar në “Facebook”-un e tij se ka depozituar një padi penale ndaj z. Nishani për shpifje.
Ishte kryesuesi i listës demokrate në zgjedhjet e 2017- ës, Romeo Gurakuqi, i cili shpërtheu në akuza ndaj anëtarëve të komisionit të vlerësimit të kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie, pasi u skualifikua në fazën e fundit.
Përmes një shënimi në “Facebook”, Gurakuqi ndër të tjera akuzonte ish-Presidentin Bujar Nishani se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërkohë të gjithë anëtarët i konsideronte të pacertifikuar për të kryer një veprim aq të rëndësishëm në Partinë Demokratike.
Nga 5 anëtarët e komisionit të vlerësimit në PD, të cilët ishin objekt i sulmeve të Gurakuqit, reagoi vetëm ish-Presidenti Nishani. Ish-kreu i shtetit harroi për një moment gjuhën e moderuar dhe ka adresuar akuza të ndryshme ndaj Gurakuqit duke e quajtur “LLaxore korridoresh” dhe “qen që leh”. Ndërkohë, ka lënë të kuptohet se vetë ish-deputeti Gurakuqi ka qenë ish-sigurims.
“E di fare mirë se ju të gjithë do të më thoni që një ish President nuk ia vlen të merret me një llaxore korridoresh. Po, shumë e vërtetë si parim, por unë do të lutesha për mirëkuptimin tuaj.
Në fakt nuk ia vlen që të ndalemi e të qëllojmë me gur çdo qen që na del përpara e na leh, se ashtu nuk do të kishim kohë të mbërrinim në destinacion kurrë. Por sot aq e madhe sa ç’është mundësia e komunikimit dhe shprehjes, po aq është edhe mundësia e shpifjes dhe intrigës!
Gjithashtu, unë mendoj se vemjet po nuk i dezinfektove, ato kthehen ne krimba e gangrenizojnë gjithnjë e më shumë. Por në 2017-ën Romeos iu dha një mundësi e artë dhe vlerësim maksimal duke e vendosur të udhëheqë listën elektorale të Partisë Demokratike në Shkodër. Këtë besim Romeo e shndërroi në dështimin dhe rezultatin elektoral më skandaloz dhe poshtërues për Partinë Demokratike në Shkodër gjatë gjithë historisë së pluralizmit shqiptar.
Romeo 2017 e lëshon gjuhën me akuza banale pa u nxirë e pa u skuqur, për sa thotë. Si një ish-ministër i Brendshëm, do t’i sugjeroja Romeos 2017 të kërkonte e lexonte në arkivin e Sigurimit të Shtetit (në Ministrinë e Brendshme) kartelën nr. 379, të datës 08.01.1949, të rekrutimit të ‘SATELITIT’ prej oficerit të sigurimit, Anastas Bojaxhi dhe kartelën nr. 2641 të datës 27.02.1980, të rekrutimit të ‘VIGJILENTIT’, prej oficerit të sigurimit Selfo Islami. Jam i bindur se paskëtaj Romeo 2017 do të kthjellohej pakëz.
Unë e kuptoj fare mirë se llogorja e Romeos 2017 është turfullimi i serbofilit të Tiranës, kur sheh diferencën e madhe të modeleve midis një partie moderne me profil perëndimor si Partia Demokratike e nga ana tjetër Rilindja e serbofilit të Tiranës që përzgjedh vrasës, trafikantë, rrëmbyes e zhvatës për deputetë”, shkroi Nishani.
Akuzave të ish-Presidentit, Gurakuqi iu përgjigj me të tjera akuza dhe me një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë për shpifje. Në reagimin e tij ish-deputeti shprehet se z. Nishani ka dashur ta shantazhojë. Gurakuqi thotë se ai nuk ka qenë ish-sigurims dhe për këtë publikoi edhe një dokument në të cilin sipas Gurakuqit vërtetohet pastërtia e figurës së tij.
“Personalisht jam kontrolluar dy here nga Autoriteti për Informim ne vitin 2017, herën e parë si kandidat për organet e reja të drejtësisë (kandidat i KLGJ-së) dhe herën e dytë, pas fitores nga PDSH Shkodër në zgjedhjet e vitit 2017, para marrjes së mandatit, me nismën time si detyrim moral ndaj zgjedhësve.
Publiku duhet ta ketë të qartë se kontrolli mbi pastërtinë e figurës përfshin çdo dokumentacion të disponueshëm nga organet ligjzbatuese dhe të sigurisë, përfshirë kartelat e MPBsë.
Ky kontroll i plotë është kryer për rastin tim. Personazhet, oficerët, të dhënat nuk kanë të bëjnë as me mua dhe me asnjë anëtar të familjes sime.
Një kërkim i thjeshtë i emrave i nxjerr oficerët dhe kartelat e cituara, në Durrës në vitin 1949 dhe në Lushnjë ne vitin 1980. Veprimin shantazhues të Bujar Mehmetit (Nishani) e konsideroj një shpifje të mirëfilltë dhe e garantoj që do të mbajë përgjegjësi ligjore”, shkroi Gurakuqi. /PanoramA/