Një nga çeshtjet më të debatuara këto kohë pandemie, është edhe mbështetja ushqimore për familjet në nevojë. Kryeministri Rama ka folur për shifra mjaft të larta të familjeve të mbështetura me pako ushqimore, duke nisur nga 14 mijë herë e parë për të vijuar deri në 70 mijë familje. Por mesa duket, realiteti është krejt ndryshe, të paktën për muajin mars 2020. Shifrat e verteta janë mësuar nga një shkresë që Haki Çako, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit, i ka kthyer në formë përgjigje kërkesës për informacion të Voltana Ademit mbi këtë çeshtje. Dokumenti është bërë puiblik nga kryebashkiakja e Shkodrës në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Sipas kësaj shkrese, të paktën deri me 29 mars 2020, janë shpërndarë në të gjithë vendin vetëm 4050 pako ushqimore për po kaq familje dhe i njëjti numër thasësh mielli. Shifra është tmerrësisht e vogël, teksa vetëm numri i familjeve që trajtohen me Ndihmë Ekonomike është rreth 70 mijë familje. Në një vështrim të parë, duket se shifrat e bëra publike nga Rama nuk janë të sakta. Ndërsa ka edhe një tjetër mundësi: Shifrat e përmendura nga kryeministri, i referohen ndihmës së dhënë nga vetë bashkitë. Meqenëse 60 bashki janë të një ngjyre me kryeministrin, Rama siç duket i konsideron ndihma të dhëna nga qeveria e tij. Në fakt, e verteta është ndryshe. Ndihmat ushqimore të bashkive, janë siguruar nga vetë ato, pra nga qytetarët në territor. shpresojmë që të paktën për muajin prill, trendi të ndryshojë, aq më shumë kur problemet ekonomike po thellohen nga dita në ditë. Nga ana tjetër, në territor mund të jenë shpërndarë pako ushqimore nga shoqëria civile apo individë dhe mbase Rama, i ka llogaritur edhe ata në “kontribut” nga qeveria e tij për banorët.
Ajo që bie në sy, është numri i vogël i pakove ushqimore për Bashkinë Shkodër, krahasuar jo vetëm me bashkitë e rëndësishme në vend por edhe të tjera më të vogla. NJëkohësisht, në Qarkun e Shkodrës, nuk kanë përfituar katër bashkitë e tjera: M.Madhe, Puka, Vau- Dejësi dhe Fushë Arrëzi.
Më poshtë, informacioni dhe shkresa e Haki Çakos.
Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, ka shpërndarë këto pako sipas bashkive:
BASHKIA TIRANË: 500 pako ushqimore për 500 familje
BASHKIA KRUJË: 550 pako ushqimore për 550 familje
BASHKIA SHIJAK: 650 pako ushqimore për 650 familje
BASHKIA DURRËS: 750 pako ushqimore për 750 familje
BASHKIA LAÇ: 350 pako ushqimore për 350 familje
BASHKIA VORË: 300 pako ushqimore për 300 familje
BASHKIA KAVAJË: 100 pako ushqimore për 100 familje
BASHKIA KAMËZ: 100 pako ushqimore për 100 familje
BASHKIA RROGOZHINË: 50 pako ushqimore për 50 familje
BASHKIA LEZHË: 350 pako ushqimore për 350 familje
BASHKIA RRËSHEN: 100 pako ushqimore për 100 familje
BASHKIA MIRDITË: 100 pako ushqimore për 100 familje
BASHKIA SHKODËR: 209 pako ushqimore
Pesha e çdo pakoje ka qenë standart 17.2 kg (makarona, vaj, kripë, sheqer, ajvar) /ShkodraWeb Media/