DOKUMENTI/ Gënjeu në 2017, gënjeu në 2019, deputeti shkodran i “opozitës së re”rrezikon burgun përveç mandatit…

Pasi u betua këtë javë në Parlament, kryetari i Partisë së Pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jenishehri është një ndër deputetët më të ri të parlamentit të Shqipërisë por dhe më i vjetri në moshë.

Ai vjen nga lista e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës por banon në Shkodër. Megjithëse kaloi pak kohë, derisa të merrte mandatin e deputetit ai e kishte paralajmëruar. Jenisheri kërkonte nga kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha që t”i rikonstruktonte godinën e partisë së tij, pasi në rast të kundër do të pranonte të merrte mandatin.

Kur i erdhi thirrja nga KQZ, ai dorëzoi formularin e vetëdeklarimit dhe këtë të enjte mori mandatin. Por tashmë është zbuluar se Selami Jenishehri rrezikon ta humbë sërish mandatin pasi ka gënjyer në deklarimet e bëra në formularin e dekriminalizimit. Ai është dënuar me 8 muaj burg nga gjykata e Shkodrës në vitin 2001 për akuzën e mashtrim, vendim të cilin e ka apeluar në Gjykatën e Lartë dhe kjo e fundit ka lënë në fuqi dënimin.

Pra megjithëse ka një vendim të formës së prerë, në formularin e dekriminalizimit, Jenishehri thotë se nuk ka qenë në asnjë rast i dënuar si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tashmë topi i kalon Seksionit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe më pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i Partisë së Pensionistëve Shqiptarë, Selami Jenishehri me shumë mundësi do të jetë deputeti që qëndroi më pak në sallën e parlamentit.

Loading...