Një dokument sekret i Shërbimit Informativ Shtetëror botuar nga DITA, zbulon se ish-kreu i këtij shërbimi, Bashkim Gazidede ka marrë me vete pas ikjes nga detyra, dosjen e agjentëve të UDB në Shqipëri dhe atyre të dyfishtë të lidhur me shërbimin jugosllav deri në 1991.
Bëhet fjalë për procesverbalin e një inventari të urdhëruar në 1997 pas largimit të Gazidedes nga posti.
Dosja sot rezulton e zhdukur.
Inventari ka qenë i hollësishëm (fletë më fletë – saktëson relacioni) dhe ka zgjatur 3 vjet.
Inventari vë në dukje zhdukje të disa dosjeve të rëndësishme të agjenturës, por ajo që bie në sy është zhdukja e dosjes mbi ish-ambasadën jugosllave, e cila ka qenë e plotë, që nga viti 1948 në 1991.
Citim nga dokumenti i botuar sot nga DITA:
“Në këtë informacion po ju evidentojmë vetëm disa nga mungesat më kryesore dhe që për mendimin tonë janë të qëllimshme, si më poshtë:
-Dosja e drejtimit të ambasadës jugosllave, ku përfshihet periudha e viteve 1948-1991. Kjo dosje përfshin në vetvete 11 volume (fashikuj) të cilat totalisht kapin shifrën prej 3887 fletësh..”
Inventari që i është paraqitur pas përfundimit të tij kreut të atëhershëm të Shërbimit vë në dukje edhe disa mungesa të tjera:
“Nga inventarizimi dhe ballafaqimi përfundimtar me këtë dokumentacion, na rezultojnë këto mungesa:
-Në fondin e kundërzbulimit mungojnë 82 dosje përpunimi dhe drejtimi, 3 dosje RSI (agjenture), 27 dosje hetimore e gjyqësore…. Në fondin e zbulimit mungojnë 52 dosje agjenture dhe të kandidatëve në studim (të fondit të veçantë) dhe 3 njësi dosje të ndryshme…. -Të gjithë regjistrat kryesorë të punës operative të ish-Degës P.Brendshme Mirditë (Rrëshen), degë e cila mbulonte dhe ish-Repartin e Riedukimit Spaç, si: regjistri i përpunimeve, regjistri i agjenturës, etj” – thuhet ndër të tjera në dokument.
Materiali i plotë mund të lexohet në DITA.