ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

DOKUMENTI/ Ç’po ndodh me hetimet për 3 kryebashkiakët e denoncuar, del shkresa e PD në Prokurori, ja çfarë kërkohet…

Duke nisur që nga 1 gushti, PD thotë se ka paraqitur prova “autentike” se kandidatët në bashkitë Shkodër, Valdrin Pjetri, Vorë, Agim Kajmaku dhe në Bashkinë Vau i Dejës, Mark Babani kanë te kaluar kr.iminale dhe si të tillë kërkon qe ata të largohen dhe të ndiqen penalisht për fallsifikim të formularit të dekr.iminalizimit.

Por, tani, PD akuzon prokurorinë se nuk po zbaton ligjin, duke zvarritur çështjet dhe duke mos i dhënë opozitës informacionin e kërkuar për procedurën e ndjekur nga organi i akuzës, siç e parashikon ligji. PD, e konsideron mosveprimin prej më shumë se 2 muaj të prokurorisë si “përpjekje për të mbrojtur me burokraci procedurale dhe vonesa njerëzit e inkr.iminuar të Edi Ramës në bashki”.

Një lëtër e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, për Prokurorinë e Përgjithshme, e cila i çohet për dijeni edhe KLP-së vlerëson punën e Prokurorit të Përgjithshëm , ambasadës së SHBA, BE, OSBE dhe Këshillit të Europës. Sipas ligjit, deklarimet e rreme në formularin e dekr.iminalizimit dënohen me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet. Në respekt të ligjit, PD ka kërkuar në 5 Shtator që t’i vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni që tregon veprimet e prokurorisë për të bërë verifikimin e 3 denoncimeve të bëra nga PD.

“Organi i prokurorisë në shkelje flagrante të ligjit, edhe pse afati është tejkaluar disa herë, ende nuk ka vënë në dispozicion të kërkuesit dokumentacionin e kërkuar, duke na pamundësuar ushtrimin e të drejtave tona ligjore dhe duke mos bërë transparencë për opinionin publik mbi këto raste. “ – thuhet në kërkesën e re për informacion që Sekretari i Përgjithshëm i PD i dërgon Prokurorisë së Përgjithshme.

“Kjo sjellje e organit të prokurorisë ngre dyshime të arsyeshme mbi tentativën shtetërore për marrjen në mbrojtje të personave të inkriminuar që kanë arritur, me mbështetjen e partisë në pushtet, të uzurpojnë funksionet publike, në kundërshtim flagrant me ligjin e dekr.iminalizimit.”- theksohet në kërkesën e PD.

Duke kërkuar edhe një herë zyrtarisht informacion për procedurat e ndjekura nga prokuroria për të treja rastet, PD u bën thirrje prokurorëve të ngarkuar me këtë çështje, të mos i nënshtrohen presionit politik të Edi Ramës dhe Arta Markut.

“Kapja e qeverisjes nga kr.imi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kr.iminale, në pushtetin vendor, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për vetë sigurinë kombëtare, interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për nisjen e bisedimeve të antarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian.”- thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Për Valdrin Pjetrin e Shkodrës PD publikoi dokumenta se ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga Italia për trafik dr.oge. Për Agim Kajmakun e Vaut të Dejës se ishte në kërkim nga Greqia për veprën e rëndë të përdorimit të parave të fallsifikuara. Për Mark Babanin e Vaut të Dejës se kishte bërë burg dhe ishte dëbuar për vjedhje makinash më Itali.

KERKESA E PLOTE

Nr. ___ Prot. Tiranë, më 22 Tetor 2019

Lënda: Kërkesë për informacion

Drejtuar: PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

Në vëmendje: KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË

Për dijeni: AMBASADËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, TIRANË

DELEGACIONIT TË BASHKIMIT EUROPIAN, TIRANË

TË GJITHA AMBASADAVE TË VENDEVE ANËTARE TË BE, TIRANË

PREZENCËS SË OSBE, TIRANË

ZYRËS SË KËSHILLIT TË EUROPËS, TIRANË

Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur pranë Prokurorisë së Përgjithshme disa kërkesa për verifikimin e figurës së zyrtarëve publik në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Konkretisht:

a) Me kërkesën nr. 121 Prot., datë 01.08.2019 është kërkuar verifikimi i figurës së shtetasit Valdrin Pjetri, kandidat i Partisë Socialiste për Kryetar të Bashkisë Shkodër, i cili rezulton i dënuar nga Gjykata e Firences për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”.

b) Me kërkesën nr. 125 Prot., datë 20.08.2019, është kërkuar verifikimi i figurës së shtetasit Agim Kajmaku, kandidat i Partisë Socialiste për Kryetar të Bashkisë Vorë, i cili rezulton se është arrestuar, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara” dhe ndaj tij është marrë masa e sigurimit personal “arrest me burg”.

c) Me kërkesën nr. 134 Prot., datë 09.09.2019, është kërkuar verifikimi i figurës së shtetasit Mark Babani, kandidat i Partisë Socialiste për Kryetar të Bashkisë Vau i Dejës, i cili rezulton se me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”, dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti Italian. Nga ana tjetër, rezulton se Mark Babani ka përdorur një identitet tjetër të rremë Fatmir Babaj për të hyrë në Itali 2 vjet më vonë, dhe për këtë shkak është arrestuar përsëri më datë 24 Janar 1996.

Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është një mundësi për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe tregues i respektimit të shtetit të së drejtës. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar rreth 2 muaj nga paraqitja e kërkesave, ende Prokuroria e Përgjithshme, që është përgjegjëse për zbatimin e ligjit, nuk ka përmbyllur asnjë procedurë verifikimi. Gjatë gjithë këtij procesi, organi i prokurorisë ka bërë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur me burokraci procedurale dhe vonesa të pajustifikuara zyrtarët e mësipërm, të cilët jo vetëm nuk mund të ushtrojnë detyra publike, por duhet të ndiqen menjëherë penalisht.

Sipas Ligjit për Dekriminalizimin (pika 3 e nenit 5 të ligjit), deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal (falsifikimi i dokumenteve që dorëzohen pranë një organi publik). Për pasojë, çdo mosdeklarim apo fshehje dënimi, dëbimi apo arrestimi në Formularin e Vetdeklarimit është sipas ligjit një deklarim i rremë dhe subjekti mban përgjegjësi penale. Sipas nenit 190 të Kodit Penal, dënimi në këtë rast është nga 6 muaj deri në 4 vjet. Nga ana tjetër, pika 8 e nenit 11 të ligjit nr. 138/2015 parashikon se edhe kur prokuroria vihen në dijeni të rrethanave apo fakteve që provojnë ekzistencën e të dhënave të padeklaruara, sipas parashikimeve të këtij ligji, edhe pas përfundimit të mandatit, ato administrojnë përfundimet e hetimit dhe bëjnë kallëzim penal ose regjistrojnë fillimin e ndjekjes penale, në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.

Partia Demokratike e Shqipërisë, me shkresën nr. 125/4 Prot., datë 05.09.2019, në mbështetje të nenit 45 të Kodit të Procedurave Administrative, ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni i plotë që gjendet në dosje, i hartuar apo administruar nga organi i prokurorisë, që nga momenti i marrjes së kërkesës për verifikim e deri në atë moment.

Organi i prokurorisë në shkelje flagrante të ligjit, edhe pse afati është tejkaluar disa herë, ende nuk ka vënë në dispozicion të kërkuesit dokumentacionin e kërkuar, duke na pamundësuar ushtrimin e të drejtave tona ligjore dhe duke mos bërë transparencë për opinionin publik mbi këto raste. Kjo sjellje e organit të prokurorisë ngre dyshime të arsyeshme mbi tentativën shtetërore për marrjen në mbrojtje të personave të inkriminuar që kanë arritur, me mbështetjen e partisë në pushtet, të uzurpojnë funksionet publike, në kundërshtim flagrant me ligjin e dekriminalizimit.

Partia Demokratike e Shqipërisë gjen rastin të rikujtojë se marrja në mbrojtje e personave të inkriminuar të pushtetit personal të Edi Ramës, bie ndesh me parimet e shtetit ligjor dhe është pengesë për ecurinë e Shqipërisë në rrugës e saj europiane. Kapja e qeverisjes nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale, në pushtetin vendor, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për vetë sigurinë kombëtare, interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për nisjen e bisedimeve të antarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian. Për pasojë, prokurorët në detyrë, pavarësisht se drejtohen nga një zyrtar i paligjshëm, paintegritet dhe i papërgjegjshëm si Arta Marku, kanë detyrimin që të mos i nënshtrohen porosive dhe presionit politike të Edi Ramës, por të përmbushin me përgjegjshmëri detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore.

Për të gjitha sa më lart, në mbështetje të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe neneve 45 e 47 të Kodit të Procedurave Administrative, kërkojmë të na informoni mbi të gjitha procedurat e ndjekura nga organi i prokurorisë, shoqëruar kjo me dokumentacionin e plotë që ndodhet në secilën dosje, i hartuar apo administruar nga organi i prokurorisë, që nga momenti i marrjes së kërkesave për verifikim e deri në këtë moment.

Në pritje të zbatimit të ligjit nga ana juaj,

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

GAZMENT BARDHI

Për tu bërë pjesë e grupit "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kerkesa juaj do të shqyrtohet menjëherë. KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.