
Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare ka depozituar një kallëzim penal në Prokurori, duke kërkuar nisjen e hetimeve për veprimet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Qarkun e Shkodrës. Kallëzimi pason një seri shembjesh të banesave dhe bizneseve që, sipas Shoqatës, janë kryer në mënyrë të paligjshme, pa njoftime paraprake, pa vendime të formës së prerë dhe pa i dhënë qytetarëve të drejtën për t’u mbrojtur në rrugë gjyqësore.
Sipas dëshmive të mbledhura në terren dhe qytetarëve të dëmtuar, mbi 80 objekte janë shembur pa asnjë dokument komunikimi – as urdhër shembjeje, as procesverbal, as vendim administrativ. Shoqata cilëson se këto veprime bien ndesh me parimet e shtetit të së drejtës, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në kallëzimin penal, Shoqata kërkon që Prokuroria të hetojë veprat penale të shkatërrimit të pronës (neni 150), shpërdorimit të detyrës (neni 248) dhe veprimeve arbitrare (neni 250), si dhe të sekuestrojë dokumentacionin përkatës në zyrat e IKMT. Gjithashtu, kërkohet ndërprerja e menjëhershme e veprimeve administrative të IKMT në Qarkun Shkodër deri në verifikimin e plotë të ligjshmërisë së ndërhyrjeve.
Kërkesat zyrtare të Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare:
1. Regjistrimin e kallëzimit penal dhe fillimin e hetimeve për veprat penale të parashikuara nga:
• Neni 150 i Kodit Penal – “Shkatërrimi i pronës”, kryer në bashkëpunim dhe në dëm të qytetarëve;
• Neni 248 i Kodit Penal – “Shpërdorimi i detyrës”, për tejkalimin flagrant të kompetencave dhe mungesën e çdo vendimi të ligjshëm;
• Neni 250 i Kodit Penal – “Veprime arbitrare”, për veprimet e paligjshme në mungesë të një procedure të rregullt ligjore.
2. Sekuestrimin e dokumentacionit përkatës në zyrat e IKMT-së që kanë urdhëruar ose ekzekutuar prishjet, përfshirë çdo:
• Vendim,
• Urdhër,
• Procesverbal verifikimi,
• Komunikim me qytetarët që kanë lidhje me këto veprime.
3. Marrjen e masave shtrënguese (si ndalim ose arrestim) ndaj drejtuesve dhe zyrtarëve të IKMT-së që kanë firmosur apo zbatuar vendimet, për të:
• Parandaluar dëme të mëtejshme,
• Penguar ndikimin në hetim,
• Garantuar hetim të pavarur.
4. Njoftimin e menjëhershëm të:
• Avokatit të Popullit, dhe
• Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi,
për të ndjekur dhe adresuar shkeljet sistematike të të drejtave të qytetarëve të ndodhur gjatë këtij procesi.
5. Ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi administrativ nga IKMT në këtë qark, deri në:
• Verifikimin e plotë të ligjshmërisë së vendimeve dhe veprimeve të ndërmarra,
• Garantimin e të drejtave të qytetarëve për mbrojtjen e pronës në rrugë ligjore.







