Skip to content
11 April, 2026
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

Since 2017, the most followed news portal and entertainment in the North of Albania

njoftime banner 2025
Primary Menu
  • KUSH JEMI NE
  • AKTUALITET
  • KRONIKË
  • POLITIKA
  • SPORT
  • MAG&VIP
  • DOSSIER
  • ANËMBANË
  • VIDEO NEWS
  • RRETHE
    • Malësia e Madhe
    • Lezha
    • Vau- Dejës
    • Puka
    • Vendi
  • NA SHKRUANI
ShkodraWeb TV

DOKUMENTI – 13 nëntor 1990, kur CIA amerikane njoftonte Siguimin e Shtetit për protestat e studentëve në dhjetor

ShkodraWeb 13 December, 2023
cia sigurimi shtetit protesta studente 1990

Një “kuadër” i CIA-s, (Central Intelligence Agency – Agjencia Qendrore e Inteligjencës) apo shërbimit sekret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka informuar në kohën e duhur Sigurimin e Shtetit Shqiptar, për nisjen e protestave të studentëve shqiptarë në fund të vitit 1990. Krejt pabesueshëm, pasi agjencia e inteligjencës e shtetit më demokratik të botës në atë kohë, nuk ka qenë aspak në krah, apo në partneritet me komunistët shqiptarë, këtë e vërteton e zeza mbi të bardhë, një dokument i Drejtorisë së Tretë të Sigurimit të Shtetit, që u publikua për herë të parë nga gazetari Blendi Fevziu, në emisionin e tij “Opinion”. Dokumenti mban datën 13 nëntor 1990, pra përmbajtja e tij u është komunikuar krerëve të shtetit komunist të kohës, gati një muaj para protestave studentore, që dihet se kanë si pikënisje mbrëmjen e datës 8 dhjetor 1990.

Informacioni i është drejtuar Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit (Kundërzbulimi) nga Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit, që njihej ndryshe si “Zbulimi Politik”. Dokumenti i nënshkruar nga Drejtori i Drejtorisë III-të, Sefer Ramaj, i është dërguar Drejtorit të Drejtorisë së Parë, Nerulla Zebi, i cili edhe e ka trajtuar, duke bërë një shënim me shkrim dore në fund të tij, me mbishkrimin “Shoku Agim”. Shënimi thotë: “Shoku Agim: Ti dërgohet DPB (Drejtorisë së Punëve të Brendshme) të Tiranës. Duhet menduar seriozisht që të parandalojmë çdo ngjarje. 13.11.1990”.

Shoku Agim apo Agim Z., është një tjetër drejtues i Sigurimit, që deri në këtë kohë mbante funksionin e kryetarit të Degës së 8-të të Drejtorisë së Parë, që merrej me grupet antiparti, aktivitetin kundër-revolucionar, internim – dëbimet, letrat me tendencë terrori, repartet e riedukimit, etj. Dy ditë më pas, më 15 nëntor 1990, në të njëjtin dokument, po Nerulla Zebi, ka lënë një tjetër shënim me shkrim dore, që thotë se informacioni iu dërgua udhëheqjes së partisë. Ndërsa shënimi në krye të faqes me shkrim dore; “shoku Besnik”, nuk ka ndonjë rëndësi, pasi mendohet se është bërë për qëllim fotokopjimi.

Edhe pse ka shumë të ngjarë që pas shënimit; “një kuadër i CIA-s” të mos jetë aspak një agjent i shërbimit inteligjent amerikan, e shumta mund të jetë një informator nga radhët e diplomatëve apo gazetarëve, të vetmit që kishin mundësi të pakufizuar lëvizjeje në ato kohëra, përmbajtja e dokumentit është krejtësisht e saktë, apo krejtësisht parashikuese.

Pra, sipas përmbajtjes së dokumentit, “kuadri” i CIA-s paralajmëronte se para apo pas festave të nëntorit; “studentët mund të organizonin një demonstrate, për shkak të kushteve të vështira të studimit, fjetjes, ushqimit. Ata mund të dalin edhe me kërkesa për ndryshimin e programeve mësimore dhe me ta mund të bashkohen edhe të rinj të tjerë”.

Dhe po të kesh qenë një dëshmitar, apo po të kesh ndjekur ngjarjet, kështu ka ndodhur saktësisht, apo historikisht. Sepse vërtet studentët e “Qytetit Studenti” u ngritën pas festave, më 8 dhjetor 1990, me fillimisht kërkesa për përmirësimin e kushteve.

Në vijim, informacioni paralajmëronte se duhet të shmangeshin ceremonitë e zakonshme, pra grumbullimet, duke bërë që edhe për këtë pjesë, spiuni të ketë pasur informacion të saktë. Kjo sepse vërtet në këtë kohë, Sigurimi i Shtetit apo krerët komunistë të vendit, i evituan grumbullimet festive apo sportive.

Një shembull ilustrues mund të shërbejë edhe shpërndarja e dhunshme dhe e nxituar e demonstratës së studentëve mesditën e 9 dhjetorit, pasi sportdashësit e Tiranës, në të njëjtën kohë do të shkonin në stadiumin “Qemal Stafa”, që ishte në afërsi të demonstruesve të bllokuar në rrugën e Elbasanit, pranë Liceut Artistik. Pra, studentët u goditën dhe shpërndanë para se me ta të tentohej ndonjë marrëveshje, vetëm nga frika se grumbullin e tyre, mund të bashkoheshin tifozët që po shkonin në stadium.

Dhe në përfundim të së gjithës, interesant është edhe fati i nënshkruesit të këtij dokumenti, ish-drejtorit të Drejtorisë III-të, Sefer Ramaj, i cili u gjet i vdekur në rrethana misterioze, në zyrën e tij në ambientet e Ministrisë së Jashtme në shtator 1991, në një kohë kur ende në këtë institucion, vegjetonin kuadrot e shtetit të vjetër komunist. Më poshtë përmbajtja e dokumentit.

DOKUMENTI SEKRET I DREJTORIT TË ZBULIMIT SHQIPTAR, SEFER RAMAJ, MË 13 NËNTOR 1990, ME BURIM NJË KUADËR TË CIA-S AMERIKANE, PËR ZHVILLIMIN E DEMONSTRATAVE TË STUDENTËVE, NJË MUAJ MË PAS

Sekret

Kopje nr. 1

Tiranë më 13.11.1990

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Brendshme

Drejtoria e Tretë
Nr. 494

Informacion

Drejtorisë së I-rë
KETU

Nga një burimi ynë, informohemi se:

Sipas një kuadri të CIA-s, pritet që në prag ose pas festave të Nëntorit, studentët shqiptarë të organizojnë një demonstratë për shkak të kushteve të vështira të studimit, fjetjes, ushqimit.

Ata mund të dalin edhe me kërkesa për ndryshimin e programeve mësimore dhe me ta mund të bashkohen edhe të rinj të tjerë.

Burimi sugjeron që gjatë ditëve të festive, të evitohen ceremonitë e zakonshme, pasi ato mund të shfrytëzohen për t’i kthyer në veprimtari armiqësore.

Drejtori i Drejtorisë III

Sefer Ramaj

(firma, vula)

Si u përgjua diplomati italian, që fliste për demonstratën e studentëve?

Sigurimi i Shtetit përgjonte përfaqësitë apo ambasadat e huaja në Tiranë. Të paktën këtë thotë një dokument interesant i publikuar nga gazetari Blendi Fevziu, në emisionin e tij “Opinion”.

Përmbajtja e bisedës së përgjuar ka lidhje me protestat e para të studentëve shqiptarë në dhjetor 1990. Biseda që është regjistruar nga Sigurimi i Shtetit, është një dialog telefonik mes një gazetari të “Reuters” dhe një funksionari të Ambasadës italiane në Tiranë.

Gazetari interesohet për protestat e studentëve të datës 9 dhjetor 1990, për përmasat, të plagosurit, të arrestuarit, si dhe për situatën në Shqipëri. Ndërsa funksionari i përgjigjet me cilësinë e një dëshmitari okular, duke i treguar të gjitha detajet e përleshjes, që ndodhi pranë ambasadës italiane.

Zbardhja e përgjimit i është dërguar Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së Xhelil Gjoni dhe Kryeministrit, Adil Çarçani. Ja përmbajtja e dokumentit.

DOKUMENTI SEKRET DËRGUAR RAMIZ ALISË DHE XHELIL GJONIT NGA MINISTRI I BRENDSHËM HEKURAN ISAI, MBI BISEDËN TELEFONIKE TË NJË DIPLOMATI TË AMBASADËS ITALIANE NË TIRANË, ME NJË GAZETAR NË ITALI

Sekret:

Ekzemplar nr.
TIRANE, ME 11.12.1990

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TE BRENDSHME
DREJTORIA E I

Nr. 11464

Lënda: Për interesimet e një korrespondenti të agjencisë “Rojter” në Itali, për demonstratën e studentëve.

Shokut: Ramiz, Adil dhe Xhelil

Një korrespondent i agjencisë “Rojter” në Itali, në bisedën telefonike që zhvillon në datën 9.12.1990 me De Nikolan, punonjës i ambasadës italiane në Tiranë, me të cilën ai është njohur më parë në Tiranë, interesohet të mësojë prej tij, nëse është dhënë ndonjë njoftim për demonstratën e studentëve në Shqipëri, numrin e tyre, ndërhyrjen që bëri policia, nëse është qëlluar me armë në drejtim të tyre, numrin e të vrarëve dhe të arrestuarve dhe të dhëna të tjera në këtë drejtim.

Në përgjigje De Nikolas, i thotë: “…Agjencia e ATSH-së e ka dhënë një lajm të tillë dhe në fakt këtu është zhvilluar një demonstratë e madhe në afërsi të ambasadës tonë, të cilën e pamë me sytë tanë.

Ishin rreth 500-1000 studentë dhe ata donin të grumbulloheshin në qendër, por u bllokuan nga policia, rreth 100 metër larg ambasadës, në rrugën “Labinoti” dhe ruajtësit e rendit, u detyruan të ndërhyjnë për t’i shpërndarë.

Demonstrata filloi në orën 10.30 dhe vazhdoi deri në 13 e 30, pastaj u rrethuan nga policia dhe u ndeshën trup me trup, duke i goditur me gurë, kështu që nuk mund të avanconin më.

U pa që policia përdori dhe shkopinjtë e gomës, sepse ishin të siguruar me kokore dhe mbrojtëse. Meqenëse dhe rruga nga mbrapa ishte e bllokuar, studentët u detyruan të shpërndahen nëpër një fushë, që ndodhet afër ambasadës tonë dhe mundën të strehoheshin nëpër shtëpi private, të shqiptarëve që ndodheshin aty pranë.

Ne dëgjuam dhe të shtëna me armë, por më duket nuk ka pasur të vrarë. Dëgjohej që ata thërrisnin: “Liri Demokraci”, e në favor të Ramiz Alisë dhe kërkonin përmirësim të kushteve të jetesës, bile u dëgjua të thërrisnin edhe; “Rroftë Gorbaçovi”!

Unë, në fakt, pashë një të plagosur para se të fillonte përleshja me policinë, por ai mund të ketë rënë vetë nga ndonjë mur, kështu që nuk mund të them se sa të plagosur kishte. E njëjta gjë ndodhi edhe në mbrëmje të datës 8.12.1990 dhe thanë se, edhe një grup të studentëve, i ka pritur edhe Ramiz Alia.

Kur bashkëbiseduesi e pyet, nëse është qetësuar gjendja dhe se agjencia ATSH-së, flet vetëm për një takim të ministrit të Arsimit, e Rektorit të Universitetit me studentët, De Nikolas, i thotë: “Unë ju thashë për ato që kam dëgjuar dhe parë vetë dhe them se gjendja tani është qetësuar dhe normalizuar dhe çdo gjë duket paqësore”.

Në vazhdim korrespondenti i “Rojterit”, pyet se; kush ndërmori hapin e parë, policia apo studentët, e çuditet që ATSH-ja dha lajmin kaq shpejt, mandej kërkon të mësojë nëse ka pasur veprime të tilla në këtë universitet dhe sa studentë ka gjithsej, pasi flitet për 12 mijë vetë.

Nëpunësi i Ambasadës Italiane, në përgjigje i thotë: “Në fakt edhe mua më çudit një fakt i tillë, pasi është hera e parë që shikohet një demonstratë e tyre. Unë di se këtu është vetëm një universitet, por numrin e tyre, nuk e di. Pashë me sytë e mi që arrestuan disa vetë, për të cilët thonë se ishin organizatorët”.

Ministri i Punëve të Brendshme

Hekuran Isai

(firma, vula) /Nga Ferdinand DERVISHI/

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd. Ju mirëpresim!

Post navigation

Artikull paraardhës: REFLEKSION – 13 dhjetor 1990, mesazhet që vijon të përhapë dita e rrëzimit të bustit të diktatorit në Shkodër
Artikull pasardhës: FOTOLAJM – Kryebashkiaku Benet Beci takohet me drejtues të shoqatës së ish- të përndjekurve politikë të Shkodrës

TË FUNDIT

bllokime aku shkoder 2026

AKU Shkodër bllokon mbi 110 ton fruta- perime, gjobë dhe ndërprerje të aktivitetit për subjektin…

ShkodraWeb 11 April, 2026 0
arbnori topalli 2026

Jozefina Topalli hap arkivën dhe kujton Pjetër Arbnorin duke publikuar një foto bashkë me të…

ShkodraWeb 11 April, 2026 0
takimi ndre mjeda

VIDEO – Koçiu, Kumbaro dhe Beci takim me mësuesit e Shkodrës, në fokus rritja e cilësisë së mësimdhënies

ShkodraWeb 11 April, 2026 0

TË FUNDIT

  • AKU Shkodër bllokon mbi 110 ton fruta- perime, gjobë dhe ndërprerje të aktivitetit për subjektin… 11 April, 2026
  • Jozefina Topalli hap arkivën dhe kujton Pjetër Arbnorin duke publikuar një foto bashkë me të… 11 April, 2026
  • VIDEO – Koçiu, Kumbaro dhe Beci takim me mësuesit e Shkodrës, në fokus rritja e cilësisë së mësimdhënies 11 April, 2026
  • Humbin jetën në banesat e tyre dy të moshuar, 87- vjeçari ka konsumuar mbidozë ilaçesh duke u vetëhelmuar 11 April, 2026
  • VIDEO – Përfundon rikonstruksioni i plotë i kopshtit në Bardhaj, investim i Bashkisë Shkodër… 11 April, 2026
  • VIDEO – Një strehëz e re për qentë endacakë në Shkodër, kryebashkiaku Beci zyrtarizon nisjen e punimeve 11 April, 2026
  • VIDEO – Kanosën 2 persona, babë e bir, policia e Shkodrës arreston 3 shtetas, zbulon aktivitet të paligjshëm… 11 April, 2026
  • “Disiplina” e FSHF fal Bregun dhe Ditën për gjestet antisportive në ndeshjen me Vllazninë për Kupë… 11 April, 2026
  • SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e shtunë, 11 prill 2026… 11 April, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e shtunë, 11 prill 2026… 11 April, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e shtunë, 11 prill 2026… 11 April, 2026
  • E TRISHTË – Ndërron jetë ish- kongresmeni, mbështetës i fortë i shqiptarëve e sidomos Kosovës… 10 April, 2026
ame sidebar

TË FUNDIT

bllokime aku shkoder 2026

AKU Shkodër bllokon mbi 110 ton fruta- perime, gjobë dhe ndërprerje të aktivitetit për subjektin…

ShkodraWeb 11 April, 2026 0
arbnori topalli 2026

Jozefina Topalli hap arkivën dhe kujton Pjetër Arbnorin duke publikuar një foto bashkë me të…

ShkodraWeb 11 April, 2026 0
takimi ndre mjeda

VIDEO – Koçiu, Kumbaro dhe Beci takim me mësuesit e Shkodrës, në fokus rritja e cilësisë së mësimdhënies

ShkodraWeb 11 April, 2026 0
urgjenca spitali rajonal shkoder 2026

Humbin jetën në banesat e tyre dy të moshuar, 87- vjeçari ka konsumuar mbidozë ilaçesh duke u vetëhelmuar

ShkodraWeb 11 April, 2026 0
  • KUSH JEMI
  • KODI ETIK
  • PËRDORIMI
  • PRIVATËSIA
  • KONTAKTE
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
Portali më i klikuar në Veri | Nga 2017, Media e Lirë Online, me parimin “E Verteta nuk negociohet, sepse e Verteta të bën të lirë”. Informim, formim & argëtim, çdo gjë për audiencën. Ky është misioni ynë | Copyright ShkodraWeb © 2017- 2026 | Të drejtat të rezervuara | ShkodraWeb nga BDgraphDesign.