DOKUMENTET – Tentativa për të kapur Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë për të penguar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për “30 qershor 2019”

Që në krye të herës, duhet pranuar se tentativa për të kapur Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë- SHBSH është në funksion të pengimit të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me “30 qershor 2019”, të ashtëquajturat zgjedhje vendore. Kjo nuk do “as mend e as kalem” për ta kuptuar.

Kjo shoqatë, publikisht dhe përmes organeve legjitime, pak ditë pas 30 qershor 2019, ka depozituar ankimim në Gjykatën Kushtetuese me këtë objekt “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të  bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.

Me 23 qershor 2021, në kapërcyell të dy viteve nga “30 qershori”, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shqyrtimin në seancë plenare të këtij ankimimi. Në varësi të vendimit, karriket e atyre që sot tentojnë të kapin këtë shoqatë, janë të rrezikuara. Nëse gjykata pranon kërkesën e SHBSH- së, kryetarët aktualë të bashkive që kërkojnë kapjen e shoqatës, automatikisht janë të jashtëligjshëm. Kjo në aspektin administrativo- juridik. Ndërsa në aspektin politik, një vendimmarrje e tillë e Gjykatës Kushtetuese, do të ishte një shuplakë e fortë për mazhorancën, qeverinë dhe vetë kryeministrin Rama.

Që prej gushtit të vitit 2019, përmes zgjedhjeve që kjo shoqatë dhe antarët e saj legjitimë nuk i njohin dhe i kanë atakuar në Gjykatën Kushtetuese, askush nuk u kujtua të diskutojë e aq më pak të riorganizojë SHBSH- në nëse paskan qenë kaq “të shqetësuar”. Po pse nuk mund të kapet kjo shoqatë tani, në këtë moment?

Për të funksionuar ligjërisht, të gjitha shoqatat duhet të miratohen në Gjykatën e Tiranës. Antarët, pavarësisht se përfaqësojnë bashki e këshilla bashkiakë, janë njerëz, individë. Ata paraqiten para gjykatës me kredencialet e nevojshme individuale dhe institucionale, firmosin dhe njihen si antarë të shoqatës. Ata që sot po përpiqen ta kapin, nuk rezultojnë në asnjë dokument ligjor të kësaj shoqate. Pra, fillimisht duhet të bëhen antarë të SHBSH- së.

Neni 15 i statutit të kësaj shoqate, në pikën g) përcakton se “Komiteti Drejtues i shoqatës ka keto kompetenca: Merr vendim per pranimin e anetareve te rinj”.

Pra, të gjithë ata që duan të bëhen antarë të SHBSH- së, duhet të miratohen pikërisht nga Komiteti Drejtues i shoqatës. Nominalisht, pra me emër e mbiemër, duke nisur nga Pjerin Ndreu i Bashkisë Lezhë e deri tek Qerim Ismailaj i Mallakastrës, nuk rezultojnë në vendimin e Gjykatës së Tiranës as si antarë, aq më pak të Komitetit Drejtues.

Po kush e zgjedh Komitetin Drejtues të SHBSH- së? Përsëri e ka parashikuar statuti i kësaj shoqate. Në Nenin 13 përcaktohet specifikisht “Asambleja e Përgjithshme ka këto kompetenca: a. Zgjedh Kryesinë e shoqatës, që përbëhet nga Kryetari dhe dy nënkryetarët; b. Zgjedh anëtarët e Komitetit Drejtues të Shoqatës;”.

Për të kuptuar mënyrën e funksionimit të kësaj shoqate por edhe çdo të ngjashme, sipas ligjeve shqiptare, po nuk ekzistoi Asambleja e Përgjitshme, nuk mund të ketë as Komitet Drejtues. Me përjashtim të Voltana Ademit, asnjë nga emrat e tjerë që paraqiten si “Komitet Drejtues” dhe që u dërgohen shkresat, jo nuk janë antarë të këtij forumi, por as të Asamblesë së Përgjitshme të SHBSH- së. Sepse asnjëri prej tyre nuk rezulton në dokumentet e miratuara nga Gjykata e Tiranës siç e parashikon ligji.

Përsëri në reference të statutit të shoqatës, përcaktohet qartë në Nenin 17 se “Kryetari i shoqatës ka këto kompetenca: a. Kryeson mbledhjet e Komitetit Drejtues; c. Kryeson Asamblenë e Përgjithshme deri në zgjedhjen e kryesisë së re”. Pra, e zezë në të bardhë, përcaktohet se si konsiderohen të rregullta, të ligjshme mbledhjet e forumeve dhe nga kush duhet të kryesohen ato. Në mungesë të kryetarit, vetëm nënkryetarët mund të drejtojnë mbledhjet e Komitetit Drejtues dhe kjo përcaktohet saktë në Nenin 18 të statutit të SHBSH- së se “Nënkryetarët e shoqatës, në mungesë të Kryetarit, kryesojnë mbledhjet e Komitetit Drejtues.”. Nënkryetarët e zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme dhe të ligjëruar edhe nga Gjykata e Tiranës me vendim, nuk janë asnjëri nga ata që sot vetëshpallen si “Komiteti Drejtues”. Sa i takon Asamblesë së Përgjithshme, statusi përcakton ekskluzivitetin e kryesimit të saj nga kryetari i shoqatës. Pra, ligjërisht, nuk ka asnjë mundësi që Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, të kapet nga kryetarë bashkishë apo këshillash bashkiakë nga jashtë saj. Çdo gjykatë, rrëzon lehtë dhe me argumente të forta çdo vendimmarrje në këtë drejtim nga i ashtëquajturi “Komitet Drejtues” i kryesuar nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu.

Vazhdojmë me pjesën pjesën ligjore, sipas përcaktimeve të statutit të SHBSH- së. Antarët e shoqatave kanë të drejta por edhe detyra. Në Nenin 10, përcaktohet se “Anëtari i shoqatës ka këto detyra: c. Te paguajë rregullisht një herë në vit kuotizacionin vjetor nga buxheti i pavarur i bashkisë, miratuar nga Këshilli Bashkiak çdo fillim viti, kur miratohet ndarja e buxhetit në këshill, sipas kushteve të përcaktuara nga Asambleja e Përgjithshme.”. Pyetja që shtrohet është a është paguar kuotizacioni sipas këtyre përcaktimeve nga ata që pretendojnë se janë jo vetëm antarë por edhe “Komitet Drejtues” i shoqatës?! Rezulton se nuk e kanë paguar, duke kryer një shkelje flagrante të statutit, aq më tepër kur dihet se përveç aktivitetit të SHBSH- së, duhet paguar edhe administrate e shoqatës, që sipas statutit, punon me kohë të plotë, duke filluar nga Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës. Pra për këto “antarë” dhe “Komitet Drejtues”, SHBSH- ja nuk ekziston ose do të kishte “vdekur”.

Si çdo shoqatë, edhe SHBSH- ja ka kritere se kur përjashtohet një antar. Në Nenin 11 të statutit përcaktohet se “Anëtarësia në Shoqatë mbaron: a. Me largimin vullnetar të anëtarit; b. Me përjashtimin e tij, kur anëtari ka shkelur statutin dhe ka vepruar në kundërshtim me objektivat dhe qëllimet e shoqatës. Përjashtimi bëhet nga Asambleja e Përgjithshme e shoqatës, në prani të 2/3 të anëtarëve të Asamblesë dhe 50% + 1 te votave.

Pyetja që ngrihet, a është shkelur statuti dhe a sëhtë vepruar në kundërshtim me objektivat dhe qëllimet e shoqatës, duke mos paguar kuotizacionin e përcaktuar, duke rrezikuar asfiksimin e aktivitetit dhe efektshmërisë së shoqatës e strukturave të saj? Sigurisht që po! Edhe një tjetër argument i forte ligjor për “anëtarët” dhe “Komitetin Drejtues” që duan të kapin SHBSH- në.

E për ta mbyllur atë që mund të quhet arsyetim ligjor për një tentativë të pamundur kapje antiligjore të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, janë afatet e përcaktuara në statutin e SHBSH- së.

Nëse “Komiteti Drejtues” i vetëshpallur si i tillë në paligjshmëri, vendos thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme të shoqatës, ka një afat që duhet respektuar sipas stautit (Klikoni KËTU për të lexuar statutin e plotë të SHBSH- së).

Neni 12 i statutit e përcakton qartë se “Thirrja e Asamblesë së Përgjithëshme u bëhet e ditur anëtareve me mjete ose burime të veçanta të paktën 30 ditë përpara mbajtjes së Asamblesë nga Komiteti Drejtues, i cili miraton paraprakisht materialet që do të trajtohen në Asamblenë e Përgjitheshme.”. Pra nëse nesër, 8 qershor 2021, do të mblidhet i ashtëquajturi i vetëshpallur “Komitet Drejtues” i SHBSH- së, nuk mund të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme para dates 8 korrik 2021. Deri atëherë, Gjykata Kushtetuese do të ketë dhënë vendimin për “30 qershorin 2019”, pasi seanca plenare është njoftuar për datën 23 qershor 2021. Edhe në këtë pikë, Pjerin Ndreu dhe kolegët e tij e pas tyre edhe Edi Rama, i kanë bërë llogaritë gabim për të penguar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, statuti nuk parashikon “Asamble të Jashtëzakonshme” të shoqatës, një tjetër argument ligjor për pavlefshmërinë e nismës Ndreu- Rama për kapjen e SHBSH- së.

Në kuptimin moral dhe të sigurisë që të gjithë këto subjekte kanë për ligjshmërinë e “30 qershorit” të tyre, duhet të bëjnë çdo gjë që Gjykata Kushtetuese të shprehet për ankimimin e SHBSH- së. Nëse nuk kanë frikë se trupa supreme do ti shpallë të gjithë të paligjshëm ata që janë në detyrë si kryebashkiakë, duke rikthyer të gjithë ata që u larguan edhe me force, pas këtyre “zgjedhjeve”.

E nëse duan një shoqatë, të paraqiten në Gjykatën e Tiranës, të hartojnë dokumentet dhe të legalizohen. Po jo të provojnë “ndërtim pa leje”, sot kur fadromat i janë turrur zonave turistike të vendit. /Shënim i ShkodraWeb/

Reklamat që shfaqen në faqen tonë, ndihmojnë të mbijetojmë, të vazhdojmë të jemi të lirë e të pavarur. Nëse mendoni se e meritojmë, mund të kontribuoni për ShkodraWeb edhe duke klikuar KËTU! FALEMINDERIT!

Reklamat që shfaqen në faqen tonë, ndihmojnë të mbijetojmë, të vazhdojmë të jemi të lirë e të pavarur. Nëse mendoni se e meritojmë, mund të kontribuoni për ShkodraWeb edhe duke klikuar KËTU! FALEMINDERIT!