DOKUMENTET – “S’ ka kerkesë për investim”, Bashkia Shkodër përgenjeshtron FSHZH- në: E verteta e rrugës së Dukagjinit

Rruga e Dukagjinit, ka qenë një nga temat e fushatës elektorale të 25 prill 2021. Madje, ndërtimi i saj është premtuar edhe nga kandidatë të vjetshëm, sot deputetë të Qarkut të Shkodrës në Kuvendin aktual. Po mbushet viti dhe deri tani, nuk ka asnjl sinjal për fillimin e ndërtimit të saj. Me 6 mars 2022, janë zgjedhjet e pjesshme vendore edhe për Bashkinë e Shkodrës dhe tema e rrugës së Dukagjinit është rikthyer përsëri.

Deputetja e Shkodrës Greta Bardeli Gjoni ka publikuar një përgjigje të FSHZH- së, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, sipas së cilës nuk ka kërkesë për investim të rrugës së Dukagjinit nga Bashkia e Shkodrës. Në publikimin e saj në Facebook, deputetja e Shkodrës shkruan:


“Si deputete e Qarkut të Shkodrës i qëndroj bindjes se politikanët duhet të jenë të përgjegjshëm kur flasin,të mos gënjejnë komunitetet,por të përpiqen për të ndihmuar e për të përcjellë zërin e tyre për problemet që ato kanë!

Më poshtë po Ju bëj me dije përgjigjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit ndaj kërkesës time nëse ka një projekt apo financim të mundshëm për rrugën e Dukagjinit (Pult -Shosh-Shalë)📍 në vijim të fjalës që mbajta në parlament 2 muaj më parë. FSHZH në pergjigje sqaron se nuk ka projekt të propozuar dhe as financim për këtë rrugë. Do vazhdoj ta ndjek këtë çështje, ashtu sikurse çdo problem apo kërkesë të qytetarëve të Shkodrës”, përfundon Bardeli.

Ndërkohë, Bashkia e Shkodrës, ka paraqitur një tjetër informacion lidhur me rrugën e Dukagjinit. Në një publikim në faqen zyrtare në Facebook, Bashkia Shkodër bën me dije se:

“Pas vitit 2015, ish- komunat e Dukagjinit Shalë, Shosh dhe Pult, iu bashkuan Bashkisë së Shkodrës. Një zonë me bukuri mahnitëse njerëzore dhe natyrore, që ofron mundësi të jashtëzakonshme sidomos për turizmin malor.

Bashkia Shkodër, vit pas viti ka kërkuar pranë qeverisë, ministrive dhe agjensive në varësi të qeverisjes qendrore financimin e këtij investimi strategjik me vlerë rreth 2 800 000 000 lekë. Sot po prezantojmë para banorëve të Dukagjinit dhe të Bashkisë Shkodrës, vetëm dy kërkesat e fundit zyrtare të dërguara në vitet 2020 dhe 2021.

Dokumentet më poshtë, tregojnë përpjekjet për të siguruar financimin për rrugën e Dukagjinit. Pavarësisht se nuk kemi akoma një përgjigje pozitive, Bashkia Shkodër do të vazhdojë të përsërisë kerkesën për financimin e ndërtimit të rrugës së Dukagjinit, një investim madhor strategjik.”, shkruhet në Facebook-un zyrtar të Bashkisë Shkodër.

Ndërkohë, Bashkia shkodër ka publikuar edhe disa dokumenta, shkresa dhe projekte pikërisht për rrugën e Dukagjinit. Pavarësisht se fushatë elektorale, nuk është mirë që çeshtje madhore për mijëra banorë, siç është rruga e Dukagjinit, të bëhen mjet për realizimin e qëllimit.