Albanian Airlines ishte e para kompani ajrore fluturimesh që përsonifikohej si “kompani flamuri” e Shqipërisë. Kjo deri në vitin 2011, kur qeveria e asaj kohe i revokoi licencën. Sqarimi sa për “të shfryrë” gjithë këtë krenari kombëtare të pajustifikueshme me promovimin zyrtar të Air Albania, një kompani ajrore që po tentohet të na shitet si “kompani flamuri” e vendit tonë.
Është kompani shqiptare sipas shumëkujt, por në promovimin e saj në Aeroportin “Nënë Tereza” kryeministri Edi Rama falenderon presidentin e një vendi tjetër për mbështetjen në ngritjen e Air Albania. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, zyrtarisht Turkish Airlines zotëron 49 % të aksioneve të Air Albania, e cila në fakt në QKB është regjistruar vetëm me 13 shtator 2018. Mjafton të bëni një kërkim dhe e konstaton çdokush. Është e lehtë të kuptohet se Air Albania u ngjiz gjatë takimeve të shumta Rama- Erdogan, në Tiranë e në Stamboll. Ajo që nuk është e qartë, është pjesa e padukshme e marrëveshjes, ky natyrshëm duhet të përfitojnë reciprokisht të dy palët para se të nënshkruajnë mbi letrën e bardhë.
Duke iu kthyer dokumentacionit zyrtar të depozituar në QKB dhe që mund ta gjeni duke hyrë në adresën qkb.gov.al, kontstatohet shumë lehtë se si do të funksionojë kjo kompani. Pozicioni më i rëndësishëm është ai i administratorit ligjor të kompanisë. Në maj të këtij viti u tha se administrator të do të jetë shtetasi shqiptar Sinan Idrizi, i njohur edhe si president i KF Flamurtari. Madje, në eufori e sipër (sepse kështu mesa duket i ishte thënë), ai deklaroi se fluturimet e Air Albania do të nisnin në korrik, ndërsa të gjithë e panë se filluan në mes të shtatorit.
Arsyeja? Shumë e thjeshtë. Administrator i “kompanisë së flamurit” është një shtetas turk, Sinan Dilek. Sepse statuti i shoqërisë Air Albania, parashikon që propozimi të bëhet nga aksionari Turkish Airlines. Kjo, edhe pse ai ka një kuotë minoritare prej 49%. Emri i Dilek është jo vetëm në regjistrimin në QKB, pagesën e mandatit 100.000 lekë në bankë, por edhe në statutin e Shoqërisë.
Po ashtu, konstatohet se Air Albania nuk do të jetë një SHA- Shoqëri Aksionare, por një SHPK- Shoqëri me Pëergjegjësi të Kufizuar. Dallimet në mes këtyre formave, janë të qarta dhe në nenet e statutit përcaktohet qartë superioriteti i Turkish Airlines por edhe i MDN Investment SHPK në një shoqëri, e cila që nga lindja ngjall dyshime. Edhe vetë statuti i Shoqërisë, mban datën 9 shtator 2018.
Të gjitha sa më sipër, mund të konstatohen publikisht në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Bisnesit. Tani të shohim pak kompaninë MDN Investment SHPK, e cila është regjistruar në QKB me 3 maj 2018 me dy aksionare Idriz dhe Najada Idrizi, me nga 50% secili. Me 17 korrik, Sinan Idrizi shiti 77% të aksioneve për 77 mijë euro tek Ron Yeffet, Rejana Idrizi dhe Najada Idrizi. Pas rreth 1 muaji, me datë 23 gusht 2018, u bë edhe një veprim tjetër duke u larguar përfundimisht Sinan Idrizi dhe Ron Yeffet dhe kompania MDN Investment SHPK ka aktualisht vetëm dy aksionarë Rejana Idrizi dhe Najada Idrizi. Ndërsa duket se lëvizjet janë bërë në mes familjes Idrizi, çfarë mund të thuhet për shtetasin e huaj (sipas gjasave turk) Ron Yeffet?! Edhe diçka tjetër që duhet të sqarohet: Kompania u krijua me një vlerë 100.000 mijë lekë, ndërsa sot vlera e saj, pa asnjë aktivitet është 100.000 mijë euro. Pse janë paguar këto para dhe me çfarë interesi apo “garancie” nga pronari i parë Sinan Idrizi. Në pamje të parë, konstatohet se Sinan Idrizi krijoi edhe doli nga kjo kompani duke marrë thjeshtë 100 mijë euro por mbetet administrator ligjor i saj.
Ka edhe diçka tjetër që duhet të kihet parasysh. Ka të bëjë me objektin e aktivitetit të MDN Investment SHPK. Në QKB konstatohet se objekti është: “Projektimi,financimi,ndertimi ,kryerja,funksionimi si dhe menaxhimi i Aeroportit Nderkombetar,i cili perfshin nder te tjera;Marrjen ne pronesi nga shoqeria te Terminalit te Ri,Zyrave te reja te Administrimit,Qendres se Re te Ngarkeses Ajrore,Pajisjeve te Reja te karburantit,rruges se re te hyrjes se Ures se Re(‘Mjediset e reja”)dhe zoterimi dhe ushtrimi i Uzufruktit nga shoqeria ne lidhje me zonen e konçesionit,etj.”. Nuk është e vështirë të konstatohet se kjo kompani është krijuar me një qëllim të caktuar, pasi ka marrë garanci për atë që po krijohej: Ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Këtu duket se puzzle plotësohet. Vetë kryeministri Raa ka thënë se ka gjetur investim për këtë vepër dhe është…Turqia e Erdogan. Por kjo është një temë tjetër.
Sa më sipër, janë vetëm hulumtime bazuar në dokumenta zyrtare të publikuara në QKB. Por nëse hulumtohet më thellë dhe nga specialistë të fushës, ka shumë për të nxjerrë në dritë. Ajo që mund të thuhet me garanci se asgjë nuk është ashtu siç duket në Air Albania. /Hulumtim i ShkodraWeb/