“Do të mbledhim 1500 firma delegatësh”, Berisha zbulon synimin e “Foltores”: Mbledhim Kuvendin Kombëtar…

Ish-kryeministri dhe Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, në një takim për demokratët zbuloi aksionin e tij politik. Ai tha se nga takimet në të gjitha strukturat e PD në të gjithë vendit, do të kërkojë që të mblidhen 1500 firmat e nevojshme të delegatëve për të mbledhur Kuvendin Kombëtar, në mënyrë që për përjashtimin e tij nga ana e kryetarit Luzlim Basha, të vendosin forumet.

“Çfarë synon kjo foltore? Së pari, ndërgjegjësimin e çdo demokrati për situatën e krijuar, vjeljen e mendimit dhe qëndrimti të tij. Së dyti, do mblidhen firmat e 1500 delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Pas mbledhjes së këtyre firmave, ne do thërrasim Kuvendin Kombëtar, që është forumi më i madh i partisë.


Ne çdo gjë do e zgjidhim në mënyrën më demokratike. Ne do i kërkojmë Kuvendit Kombëtar që për vendimin të shprehet çdo anëtar i PD me referendum në mbarë Shqipërinë.

Me Bashën nuk ka fitore. Këtë do u themi demokratëve. Unë do u thosha: mos votoni kurrë humbës me motivin se është më i mirë se ai. Humbësi nuk të çon kurrë në fitore. Ky nuk të çon asnjëherë. Mos e bëni këtë gabim.

Unë dhashë dorëheqjen edhe pse isha i sigurt se ju çoja në fitore. Por besova dhe mendova se një tjetër do e bënte më mirë se unë dhe do ju çonte në fitore. Dhe ai tjetri duhej të jepte dorëheqjen. Prandaj duhet të jemi të palëkundur në këto norma,” tha Berisha.