Ishte dhjetor i vitit 2008 kur në prova teknike, do të nisje transmetimet në televizionin rajonal Media Plus në Lezhë. Me një vizion të qartë dhe një teknologji moderne, që asokohe edhe në mediat kombëtare vështirë ta gjeje. Të rinj dhe të reja të apasionuar pas medias u bënë shumë shpejt pjesë e stafit, të një prej televizionëve rajonale, që në pak kohë “ngërtheu” në ekranin e tij një shikueshmëri të lartë nga rrethet Lezhë, Kurbin, Mirditë, Shkodër, Malësi e Madhe, Mat etj.
Me 14 shkurt të vitit 2009 nën siglen “Media Plus” u transmetua edicioni i parë informativ, që nuk mungoi për afro 9 vite, duke pasqyruar me transparencë dhe paanshmëri çdo zhvillim rajonal dhe më gjerë.
Ditë-natë me një pasion për median elektronike, audiovizive asistove pranë teknikëve për instalimin e cdo pajisje, që nga antenat, mikserat, fibrat optike etj, duke futur teknonoligjinë më të fundit të transmetimit HD. Ekrani që Ti ndërtove, ishte ekrani i të gjithëve duke u bërë një dritare informimi në kohë reale nëpërmjet programacionëve të larmishme për të gjitha grup-moshat.
MUND TË LEXONI EDHE: “Kastroja” i MPlus Televizion dhe një “sqarim” i panevojshëm nga AMA për pronarin e kësaj media…
Politikanët besuan platformat e tyre duke i shpalosur në Media Plus, çdo institucion rajonal e lokal ishte pjesë e Media Plus. Mbi të gjitha banorët besuan hallet e tyre të përditshmërisë. Shpesh na këshilloje që të fokusoheshim tek fusha sociale tek shqetësimi i çdo lezhjani, kurbinasi, mirditori, shkodrani e matjani, për të vazhduar deri në fund-vitin 2017, kur edhe kjo dritare informimi ashtu si disa të tjera, pas një eksperincë disa vjecare mbylli transmetimet e saj.
Gjatë gjithë kësaj kohe gjithnjë ishe aty në studio duke instaluar pajisjet , e ndërsa pasioni yt ishte grafika, ku qëndroje për orë e orë të tëra që të prodhoje logo e reklama duke realizuar idetë e tua për një media vizive bashkëkohore.
Media Plus, falë jush u bë një media, ku të rinj dhe të reja hodhen hapat e parë drejt botës së televizionit, ku gazetarët e rinj realizuan stazhin e tyre, në një fare mënyre ishte si një shkollë për formimin e një brezi të ri grafistësh, montazhierësh, operatorësh, gazetarësh dhe moderatorësh.
Ishe organizativ dhe bashkëpunues në organizimin e aktiviteve me stafin me të cilin krijove dhe rrite një media, që fatkeqësisht nuk arriti as moshën 9-vjecare.
Të gjithë të njihnin dhe të therrsnin Kastrioti i M-Plusit, dhe si i tillë do të vazhdosh të mbetesh për shumë teleshikues, të cilëve tashmë iu mungon M-Plusi dhe themeluesi i saj. Përtej kronikës së zezë, as Unioni i Gazetarëve, as Mediat në vend nuk thanë një fjalë të vetme për të shprehur ngushëllimet për një ndër themeluesit e medias dhe koleg të tyre.
Puthjen e fundit të lamtumirës ia dhe pikërisht një fëmijë, mesazhi i fundit që përcolle, përpara se të shkoje në jetën e amshuar.
Të qoftë dheu i lehtë Kastrioti i “M –Plusit”! /Nga Lindita KOKAJ- MARKU, gazetare dhe ish- Kryeredaktore e MPlus TV/