“Do ta shndërrojë partinë në bunker antiamerikan për interesat e tij”, zbardhet fjala e Bashës në mbledhjen e GP të PD- së

“Panorama” ka zbardhur fjalën e mbajtur nga kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar demokrat, ku kreu i selisë blu theksoi se plani i Sali Berishës është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesat e tij. Ndër të tjera Basha tha se ish-kryeministri Berisha kërkon ta lidhë vendimin për shpalljen non grata me fatin e Partisë Demokratike.

“Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen non grata të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për trasparencë e drejtësi. Për fat te keq ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij non grata me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverise amerikane për shpalljen e tij non grata.


Nga ana tjetër po kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës që është marrë në respekt të vendimit të SHBA. A nuk nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD? Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij. Kjo është pa asnjë përpektivë qoftë për PD, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë“, është shprehur Basha, mëson gazeta “Panorama”.

Ndër të tjera kryedemokrati Basha tha se izolimi nga SHBA-të është vdekja e PD-së dhe rrjedhimisht vdekja e shpresës së shqiptarëve.

“Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të partisë demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur të jem unë i godituri i këtyre vendimeve. Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokraitke nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA.

Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve për rrotacionin e pushtetit dhe normalizmin e demokracisë në vend. Orjentimi perendimor, proamerikan, euroatlantik e proeuropian janë për Partinë Demokartike me shumë se përcaktime ne statutin dhe dokumentet e saj. Janë identiteti i saj, kanë lindur në një orë me të, janë e do të jenë ADN-ja e saj. Vota e anëtarësisë së Partisë Demokraitke me obligon mua, forumet, të zgjedhurit dhe gjithë anëtarët e PD-së të qëndrojmë në këtë orjentim, ta mbrojmë atë. Po lëshuam këtë busull nuk jemi më Partia Demokratike“, tha Basha.