
Nesër luhet ndeshja e vitit për klube në arenën Europiane, e cila përmbyll kompeticionin më të rëndësishëm për klube në ‘kontinentin e vjetër’, “Champions League”.
Dhe Shqipëria do ketë përfaqësuesen e saj në këtë eveniment, këngëtaren me famë botërore Dua Lipën, e cila do performojë në ceremoninë hapëse të finales.
Këngëtarja ka disa ditë që ndodhet në Kiev dhe po zhvillon provat para shfaqjes.
Sot ajo ka dhënë një intervistë për mediat angleze, pikërisht në stadiumin e Kievit, ku nesër në 20:45 do të luhet supersfida mes Real Madrid dhe Liverpul. Ajo u shpreh se ishte shumë e emocionuar, duke qenë e vetëdijshme për rëndësin e eventit dhe për faktin që do performojë para 75 mijë spektatoreve.
Në fund, e pyetur se cili do jetë ekipi triumfues sipas saj, ajo u përgjigj pa mëdyshje: “Liverpuli!”
Kjo mbase edhe për faktin se këngëtarja me origjinë nga Prishtina është lindur në Londër dhe dëshiron që ekipet angleze të rikthehen protagoniste në skenën europiane./balkanweb/