Një ditë pas protestës së opozitës së bashkuar para Kryeministrisë, kryetari i PD, Lulzim Basha nga selia blu në një deklaratë për mediat u shpreh se beteja kundër Ramës deri në krijimin e një qeverie anti-mafia do të vijojë çdo ditë në rrugë dhe në sheshe duke paralajmëruar tubime të tjera.
Lideri i PD theksoi se protesta e djeshme ishte një mesazh i qartë, se shqiptarët nuk e pranojnë një qeveri të kriminalizuar dhe që ka ardhur në pushtet me votat e drogës. “Mirënjohje për vërshimin popullor nga qindra mijëra qytetarë ditën e djeshme. I falënderoj të gjithë. Bashkimi është mesazhi i qartë, që shqiptarët nuk e pranojnë më këtë gjendje, bashkimi gjigant i tregoi botës që në Shqipëri ka dinjitet, ka vlera dhe respekt për demokracinë dhe ligjin. Ka një popull që e do drejtësinë e barabartë dhe lirinë.
Mesazhi i protestës së djeshme është i qartë; shumica e refuzon qeverinë e bandave dhe drogës. Duam qeveri antimafia, zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes reformës zgjedhore. Dita e djeshme është një betejë e fituar nga shqiptarët, që u ngritën mbi dallime partiake. Ky ishte bashkimi më i madh në 27 vite për të refuzuar padrejtësinë. Fitorja e kësaj beteje është një ogur i mirë për luftën e përditshme në të cilën është angazhuar opozita, ne do të vijojmë këtë luftë ditë për ditë, në rrugë dhe në sheshe, në cdo hapësirë institucionale.
Shqipëria do të bëhet një vend evropian me drejtësi të barabartë për të gjithë. Ky është mesazhi i shpresës, fitorja e betejës së djeshme. Angazhimi do të vijojë deri në realizimin e krijimit të një qeverie antimafia’ përfundoi kryetari i PD.