Dita Ndërkombëtare e Gazetarëve Sportivë ka qenë një mundësi që Presidenti i Republikës Ilir Meta, të shprehë vlerësimin e tij për këtë kategori shumë të rëndësishme të gazetarëve në vendin tonë. Janë katër emra, më saktë katër legjenda të gjalla të gazetarisë sportive shqiptare, që sot janë vlerësuar nga kreu i shtetit. Lajmin e ka dhënë gazetari i mirënjohur sportiv Defrim Methasani përmes një postimi në faqen e tij në Facebook. Mes të dekoruarve, është edhe gazetari i mirënjohur sportiv shkodran Besnik Dizdari. Në postimin e tij, Methasani përcjell:
“Në ditën ndërkombëtare të gazetarëve sportiv, presidenti i Republikës, dekoroi kuartetin e kolegëve të shquar, propozuar nga RTSH SPORT. Legjenda e mikrofonit sportiv Ismet Bellova u nderua me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” dhe po me të njëjtin titull u nderua dhe pena e mirënjohur e sportit Besnik Dizdari.
Ndërkaq që me titullin “Mjeshtër i Madh”, janë dekoruar ikonat e radios dhe televizionit shqiptar, Ahmet Shqarri dhe Vladimir Grillo. Me këtë rast uroj gjithë kolegët e mi, gazetarët sportiv në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, gëzuar këtë festë dhe paçi suksese në misionin dhe profesionin tuaj.”, përfundon postimin e tij kolegu Methasani. /ShkodraWeb Media/