
Në letër Kamza është më e favorizuar. Është dy pikë para Vllaznisë në renditjen e Superligës. Përballë Patizanit i mjafton vetëm një pikë dhe…mund edhe të mos shpëtojë nga rënia. Gjithmonë nëse Vllaznia fiton në Korçë por me mbi tre gola diferencë me Skenderbeun. Nëse Vllaznia nuk shkon më shumë se barazimi me korçarët, atëherë ndeshja Partizani- Kamza nuk ka asnjë rëndësi.
Siç ndodh rëndom prej vitesh, në prag të ndeshjeve të tilla diskutohet impenjimi i skuadrave kundërshtare ose atë që quhen “lojëra nën tavolinë”. Logjikisht, Partizani mund dhe duhet të kërkojë fitoren me Kamzën. Fillimisht për vete sepse është në lojë për një vend në Europë, mës pas për te treguar se nuk bën “lojë të pisët” duke penalizuar një ekip në favor të një tjetri. Në këtë rast, Vllaznia do të rrëzohej dhe Partizani do të ishte shkaktari përfundimtar. Nga ana tjetër, Partizani do të munbiste edhe disa miliona të mira, të cilat UEFA ua jep ekipeve që do të luajnë në Kupat e Europës.
Në futboll shpesh herë thuhet se rezultati është i paparashikueshëm, por nëse sot ndodh kështu më ndeshjen Partizani- Kamza, pra që kjo e fundit të bëjë “mrekullinë” në Tiranë pasi u mund nga Laçi në shtëpi, është thjesht trukim. Ose, favorizimin i një ekipi në dëm të një tjetri ose deformim i garës…
Nga ana tjetër, në letër Vllaznia mund ta ketë më të lehtë në Korçë. Skenderbeu i ka arritur objektivat në Superligë ndërsa të dielën kërkon trofeun e dytë, Kupën e Shqipërisë. Normalisht, jo vetëm me Vllazninë, por edhe më herët nuk është impenjuar duke i dhënë hapësirë lojtarëve të rinjë apo të paakitivizuar më herët. Mbase ky është shansi i Vllaznisë për sot, duke patur përballë një formacion jo të fortë si Skenderbeu i zakonshëm.
Sot është dita e verdikteve. Edhe për Europën, por edhe mbijetesën. Sot do të mësohet nëse Vllaznia do të qëndrojë në Superligë apo do të rrëzohet. Nëse ndodh kjo e fundit, është tragjedi në prag të 100- vjetorit, por natyrisht nuk do të jetë fundi i botës dhe as i futbollit në Shkodër. Mbase mund të jetë edhe si ngushëllim: Më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund! Sepse thuajse në çdo sezon, nga 2011 e këtej të paktën, kemi diskutuar gjithmonë mbijetesën në Superligë. Nga ana tjetër, nuk do të ishte hera e parë, por “e treta, e verteta”.
Do të ishte “një mësim i mirë” për të gjithë, duke nisur nga Bashkia, Klubi, futbollistët por edhe tifozët…
E për ta mbyllur! Çfarë vendos fusha e blertë, tolerimi ose jo i ekipeve ndaj njëri- tjetrit, deri diku kapërdihet. Por nëse në përcaktimin e rezultateve, siç po përflitet, do të përfshihet FSHF përmes arbitrave, atëherë nuk ka më asnjë justifikim. Sepse rezultatet do të gjykoheshin politikisht, sepse vetëm kështu mund të gjykohet në këtë rast. /Shënim i ShkodraWeb/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!