
Shumë e nderuemja Zonja Voltana Ademi!
Kryetare e Bashkisë së Qytetit legjendar të Shkodrës
Të nderueme anëtarë të Këshillit Bashkiak të qytetit legjendar të Shkodrës
Vllazën e motra –qytetarë e qytetare të Shkodrës sime legjendare:
Falenderimet e mia ma të thella për nderimin e madh që më bani sot me dhanjen e titullit “Qytetar i Nderit”. Do të përpiqem me mbajtë me nder e krenari këte çmim të madh që më dhuroni.
Kam lindë, jam rritë dhe jam arsimue në qytetin e Shkodrës nga nji familje qytetare shkodrane me tradita shekullore shkodrane. Gjithë jetën e kam ndie veten “shkodran” dhe me këte titull kam jetue, kam udhëtue dhe kam çfaqë me krenari kudo dhe kurdo që kam folë!
Kujtoj me nderim dhe me mall të madh gjithçka që kam pa e kam jetue në qytetin që kurr nuk harrova, në të mira e në të këqia, si çerdhe e atdhetarizmit shqiptar, e qytetarisë së ndershme, dhe e punës ndërtimtare që na, shkodranët, këmi zhvillue për shekuj. Kam pasë fatin e bardhë me kujtue historinë e këtij qyteti që nga kështjelli i Rozafës deri në ramjen e dëshmorëve për liri e demokraci të ditëve tona. Djersë, gjak, dhe mundime të pa përshkrueshme karakterizojnë Shkodren tuej e Shkodren time, Shkodrën tonë që ka zanë nji vend nderi në historinë e atdheut tonë shqiptar, dhe ma gjane…!
Si dashnor i përjetëshëm i Shkodrës legjendare, unë them sot :
” Jam krenar që jam shkodran!
Jam krenar që jam shqiptar! ”
Falemnderit!
Sami Repishti