Java e 12 e kategorisë së parë ka ofruar derbin Dinamo- Vllaznia, më e rëndësishmja e grupit A për këtë javë. Një ndeshje që pritet me interes nga të dyja ekipet sepse Dinamo kërkon fitoren për të rihyrë në garën e pretendimeve ndërkohë që shkodranët në rast fitoreje, mbyllin “hesapet” njëherë e mirë me këtë kundërshtar.
Kjo ndeshje duhej të luhej ditën e shtunë ashtu si të gjitha ndeshjet e tjera të kësaj kategorie, por jo. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që ndeshja të shtyhet për të dielën, 9 dhjetor 2018, në orën 14.00 dhe ajo do të zhvillohet në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmes.
Arsyeja e kësaj shtyrje ka të bëjë me faktin se ajo do të transmetohet nga RTSH, televizion i cili ka të drejtën e transmetimeve të kësaj kategorie dhe prandaj ka bërë këtë lëvizje.
Në fakt, për të njëjtën arsye u shty për të dielën që shkoi edhe ndeshja Vllaznia- Burreli por për çudi ajo nuk u transmetua “live” nga “Loro Boriçi” ndonëse kamerat kanë qenë të pranishme në ambjentet e stadiumit.