Me urdhër të SPAK forcat elitë të RENEA-s kanë mësynë Shkodrën për të ushtruar kontrolle në banesat e disa personave me precedentë penalë. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se 5 urdhërarreste janë firmosur me urdhër të prokurores e Elida Kaçkini e cila po heton masakrën e 30 tetorit 2024 me 4 viktima në Shkodër. Janë ushtruar kontrolle në lagjet e Shkodrës si Dobraç, Kiras, Rus, Dergut dhe në fshatrat Shtoj i ri dhe Shtoj i vjeter. Kontrollet janë ushtruar gjatë orëve të mbrëmjes së të mërkurës dhe në orët e para të së enjtes (12 dhjetor). Burimet bëjnë me dije se urdhër arrestet mund të jenë për masakren e Dobraçit, por nuk përjashtohet mundësia edhe për një hetim të ri.
Kontrollet janë bërë me vendim të GJKKO-së e cila ka pranuar kërkesën e SPAK. Burime në kushtet e anonimatit konfirmojnë se një nga banesat e kontrolluara është ajo e Safet Bajrit.Sipas burimeve bëhet e ditur se në shtëpinë e Safet Bajrit janë sekuestruar 19 mijë euro, në një arke kursimi të vajzës së tij 1 vjeçare. Gjithashtu janë sekuestruar në banesën e Safet Bajrit edhe 2 telefona, celulari i tij dhe celulari i gruas. Ndërkohë Safet Bajri është marrë në pyetje por është lënë i lirë.
Raportohet se deri në këtë fazë janë gjetur materiale të tjera që janë sekuestruar, përfshirë dhe armë që do të ekspertohen nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme. Ndërkohë 5 makinat e blinduara të cilat janë të sekuestruara, burimet thonë se janë gjetur në banesen e vëllait të Behar Bajrit. Burimet thonë se vilat e tyre janë pranë njëri tjetrit. Në lagjen Dobraç, burimet thonë se janë kontrolluar 10 banesa. /Shqiptarja.com/