KPK ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Shkodrës, Luveda Dardha. Vendimi është marrë pas problematikave të konstatuara në blerjen e një pasurie.
Në shkallën e parë të vettingut nisi shqyrtimin dhe gjyqtari i Beratit Durim Hasa, të cilit iu ngritën pikëpyetje për dy vendime.
Huaja prej 36 mijë eurosh e dhuruar nga prindërit si dhe dyshimet për përfshirje në akte korruptive kanë sjellë shkarkimin e gjyqtares së Shkodrës, Luveda Dardha, në procesin e vettingut.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ajo nuk ka arritur të provojë me dokumente burimin e ligjshëm të kësaj huaje, të cilën e ka përdorur për shlyerjen e një pjese të çmimit të një apartamenti në Tiranë me vlerë 80 mijë euro.
Gjyqtarja në mbrojtjen e saj sqaroi se këto të ardhura janë krijuar nga puna e prindërve si shitës të fruta-perimeve në Fier për 8 vite, puna në emigracion si dhe nga shitja e dy shtëpive në Fier dhe Tiranë.
Një vendimmarrje për pezullimin e dënimit të një personi të arrestuar pasi ishte kapur 60 kg cannabis sativa ishte një pikë problematike e konstatuar nga KPK.