DETAJET – 20 plumba kallashi drejt 40 vjeçarit, plagosen edhe 5 persona që thjesht po pinin kafe, gjendet makinë e djegur

Një atentat në mes të qytetit ka tronditur mbrëmjen e kaluar Lushnjen. Me breshëri kallashnikovi është ekzekutuar 40 vjeçari Bledar Muça në ambientet e lokalit të tij bar “Pedonale”. Ai ishte i ulur në tavolinë duke pirë kafe kur u qëllua për vdekje, ndërsa nga breshëria e plumbave u plagosën 5 persona të tjerë, mes tyre edhe 2 gra.

Të plagosur nga të shtënat kanë mbetur Judin Velo, 32 vjeç, Ervis Tafa dhe Sara Liçi, 24 vjeç ndodhen në terapi intensive, ndërsa dy të plagosurit e tjerë Eksara Sauli, 26 vjeç dhe Majlinda Gjyli 66 vjeçe, ndodhen jashtë rreziku për jetën. Ambulanca ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur transportimin e tyre në spital.


Autorët dyshohet se kanë qenë 2, ku njëri ka zbritur nga makina tip Golf me ngjyrë të zezë dhe ka qëlluar të paktën rreth 20 herë me breshëri kallashnikovi drejt lokalit ku ishte ulur shënjestra. Plumbat dyshohet se i kanë kapur rastësisht 5 të plagosurit. E gjithë kjo skenë ka ndodhur ndërsa lokali ka qenë i mbushur me njerëz, përfshirë gra, të cilët janë tmerruar teksa po konsumonin kafe.

Pas atentatit është gjetur një makinë e djegur poshtë urës së Rrogozhinës në Lushnje, që dyshohet se është e atentatorëve të Bledar Muçës. Atentatorët janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar. Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e tyre. Gjithashtu edhe në Elbasan janë ngritur pika kontrolli në hyrje të këtij qyteti dhe po kontrollohen automjete nëse autorët kanë mundur të dalin nga qyteti pa lënë gjurmë.