Një 35-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Shkodrës, pasi u ndalua në Doganën e Muriqanit, ku iu sekuestruan rreth 100 mijë euro të padeklaruara.
Paratë po transportoheshin nga shtetasi Adrian Qose, ndaj të cilit tashmë është nisur një hetim nga Policia e Shkodrës. Policia njoftoi dje se Qose po udhëtonte si pasagjer në autobusin e linjës Tiranë-Gjermani, teksa në çantën e dorës iu gjetën dhe sekuestruan 100 mijë eurot e padeklaruara.
Policia Kufitare e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracioni, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe autoritetet doganore, kanë rritur kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë që mund të zhvillohet në Pikat e Kalimit Kufitar. “Gjatë kontrolleve goditet një tjetër rast i tentativës për transfertë të paligjshme parash jashtë vendit. Procedohet penalisht një 35-vjeçar për mosdeklarim të të hollave në kufi, në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, Shkodër. Sekuestrohen rreth 100 mijë euro”, tha Policia.
Shërbimet e Policisë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas do transferonte jashtë vendit në mënyrë të paligjshme një sasi të konsiderueshme eurosh, kanë forcuar kontrollet në bashkëpunim dhe me autoritetet doganore.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë, shtetasit Adrian Qose, 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte si pasagjer në autobusin e linjës Tiranë-Gjermani, në çantën e dorës, Policia i gjeti dhe sekuestroi një sasi e konsiderueshme eurosh të padeklaruara.
“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në kuadër të forcimit të masave për parandalimin e trafiqeve, ka intensifikuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, si dhe u bën me dije shtetasve, të cilët kalojnë në Pikat e Kalimit Kufitar të Republikës së Shqipërisë, për detyrimin ligjor (Ligji Nr. 9917, datë 19.05.2008 ‘Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terorrizmit’) për deklarimin e vlerave monetare, sendeve me vlerë apo metaleve dhe gurëve të çmuar, të cilat janë me vlerë më të madhe se 1.000.000 lekë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.