
Pas dorëheqjes së Bujar Muçës nga mandati, KQZ ka miratuar vendimin për t’ia kaluar kandidatit të radhës në listë nga PDIU në qarkun e Elbasanit, Elena Xhina. “KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës së listës shumemërore të subjektit “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet” ,Qarku Elbasan, zj. Elena Xhina” thuhet në njoftimin e KQZ.
Bujar Muça përmes një letre para 10 ditësh njoftonte KQZ se do të hiqte dorë nga mandati vetëm 3 muaj pasi u ul në karrigen e Kuvendit si deputet i Shqipërisë. Bujar Muça është një biznesmen i njohur në qarkun e Elbasanit, por edhe në Tiranë, ndërsa në letër sqaronte se “ vendimin për dorëheqjen e mora për shkak të rrethanave politike”. Sipas tij PDIU nuk i arriti objektivat në zgjedhjet e 25 qershorit dhe një gjë e tillë pamundëson mbajtjen e premtimeve.
Vendimet KQZ sot;
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimet:
– “Për dhënien e mandatit të deputetit te Kuvendit, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet në Qarkun Elbasan, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë”.
KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës së listës shumemërore të subjektit “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet” ,Qarku Elbasan, zj. Elena Xhina.
– “Për verifkimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatit, nga listat shumemërore për Këshillin Bashkiak, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
KQZ vendosi njoftimin e këshillave bashkiakë për vazhdimin e procedurave për dhënien e mandatit kandidatëve të listave shumemërore, për plotesimin e vendeve vakantë në këshillat bashkiakë, si më poshtë:
1. Qarku Tiranë, Bashkia Tiranë, z. Enis Hoxha.
2. Qarku Shkodër, Bashkia Shkodër, zj. Prandvera Vukelaj.