Deputeti i PD i përvishet socialistit Hyseni: Nëse të ka mbetur ndërgjegje jep dorëheqjen…

“Nëse vendin e Hysenit do e zinte një person me aftësi të kufizuara, politika do dilte e fituar”. Keshtu shkruan sot deputeti i PD-se, Agron Shehaj, duke reaguar pas deklarates se socialistit Alket Hyseni, i cili fyeu personat me aftesi ndryshe, teksa e cilesoi ish-kryeministrin Berisha nje “plak autik”.

Postimi i Shehajt

E dini cili është çmimi më i bukur që kam marrë gjatë gjithë karrierës sime në biznes e politikë? Vlerësimi nga komuniteti i personave me sindromën Down, dhënë nga Organizata Ndërkombëtare e Sindromës Down për kontributin tim për fëmijët me sindromën Down të Fondacionit Down Syndrome Albania.

Si kontribues i hershëm i këtij fondacioni, si deputet, si qytetar, por edhe si baba, ndiej detyrën të reagoj ndaj gjuhës fyese e denigruese të deputetit Alket Hyseni.
Hyseni përdor gjendjen e të prekurve nga autizmi si formë fyese.

U ndjeva i neveritur. Jam i sigurtë që Hyseni nuk e di çfarë është autizmi, nuk e ka takuar kurrë një fëmijë në spektrin e autizmit apo me sindromën Down dhe s’ka njohur kurrë dy prindër që luftojnë në mënyrë të vazhdueshme, për të ndryshuar mendësi si kjo e tij.

Pikërisht për këtë, ai duhet sot, së paku, të kërkojë ndjesë. Dhe, nëse i ka mbetur ndopak ndërgjegje, të japë urgjent dorëheqjen.

Nëse vendin e Hysenit do e zinte një person me aftësi të kufizuara, politika do dilte e fituar.